Banorët e Durrësit që preken nga projekti i TID kanë dalë sërish sot në protestë para Bashkisë së Durrësit, teksa më herët ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama.
Mësohet se kreu i qeverisë është në takim me disa prej banorëvë, banesat e të cilavë preken nga ky projekt.
Këta banorë protestuan para dy ditësh edhe para Kuvendit të Shqipërisë, duke akuzuar shtetin se po u marrin pronat.
Protestuesit shprehen se projekti TID prek drejtpërdrejt pronat dhe interesat e tyre, ndërsa kërkojnë rishikim të planit dhe garanci ligjore për kompensimin apo zgjidhjen e situatës së tyre.
Kujtojmë se bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
Por projekti ka shkaktuar shqetësime, pasi parashikon të prekë dhjetra prona private dhe t’i shpronësojë ato me vlera poshtë çmimit të tregut.
Ndërkohë, Bashkia e Durrësit u ka bërë thirrje banorëve që deri më 16 shkurt të lirojnë vullnetarisht banesat e tyre, në mënyrë që të vijojë zbatimi i projektit TID.