Banorët e Rrjollit u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve t’u bashkohen protestës së organizuar nga Partia Mundësia, që do të zhvillohet të enjten, më 5 mars, në ora 18:00, para Kuvendit të Shqipërisë, kundër grabitjes së pronave.
Në një mesazh publik, një prej banoreve të zonës, Luçjana Kokaj, e kthyer në një simbol të rezistencës së banorëve të Rrjollit, theksoi se padrejtësia po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi i tyre dhe se sot prona është në rrezik për një familje, por nesër mund të jetë për çdo qytetar. Ajo apeloi për bashkim dhe reagim, duke kërkuar që drejtësia shqiptare të japë përgjigje dhe që ndërkombëtarët të mos heshtin përballë shkeljeve të së drejtës së pronës.
“Kam një thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë: Për të gjithë qytetarët që e ndjejnë veten shqiptarë dhe e dinë që padrejtësia na ka mbuluar në këtë vend dhe po na detyron çdo ditë të ikim siç kanë ikur shumë vëllezër dhe motra. Siç jemi detyruar të ikim: Hajdeni të bashkohemi, t’i japim zë të vërtetës dhe t’i japim zë drejtësisë. T’i bëjmë një thirrje të madhe drejtësisë shqiptare që të reagojë për t’i dhënë të drejtës zë. T’i bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të na dalin në mbrojtje në të drejtën tonë.
Ju lutem hajdeni bashkohuni me ne! Bashkë jemi më të fortë. Sot e kam unë tek dera por të jesh i bindur që nesër është tek dera jote.
Nëse Bashkim Ulaj ikën nga toka ime sot të jesh i bindur që nuk do të ketë investitor që do vijë në tokën tënde pa u marrë vesh me ty” – shprehet Luçjana Kokaj.
Partia Mundësia thekson se protesta e 5 marsit është një reagim qytetar kundër grabitjes së pronave dhe një thirrje për respektimin e ligjit dhe të drejtës themelore të pronës private.