Banorët e Rrjollit fitojnë një betejë të fortë ligjore: Gjykata e Apelit i jep pronësinë një prej familjeve

Banirët e Rrjollit që kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik të biznesmenit Bashkim Ulaj në tokat e tyre, kanë fituar betejën e parë ligjore, pasi Gjykata e Apelit i ka dhënë pronësinë e tokës një prej familjeve.

Gjykata e Apelit ka vendosur të njohë si pronare të një pjese të tokës ku po ndërtohet resorti familjen Malaj, teksa lajmi është bërë i ditur edhe nga avokati Ndue Pjetra.

Vetë banorët e konsideruan këtë vendim si një hap të rëndësishëm në betejën e tyre ligjore, pasi sipas tyre, ky vendim i Gjykatës së Apelit i hap rrugë edhe njohjes së pronës për familje të tjera që pretendojnë të drejta mbi të njëjtën zonë.

“Gjykata e Apelit sapo ka dhënë vendimin që ata janë pronarët legjitimë këtu, gjë që shkon automatikisht edhe për fiset e tjera. Kjo është drita e parë jeshile nga drejtësia shqiptare. Jam e bindur që edhe institucionet e tjera të drejtësisë do të vazhdojnë t’i japin zë të drejtës. Një thirrje kam edhe për Prokurorinë e Shkodrës: merrni dosjen, kontrolloni dokumentet e falsifikuara që ne ua kemi sjellë gati, merrni një ekspert dhe na jepni të drejtën tonë. Mos na lini të përballemi këtu me policët”, u shpreh Luçiana Kokaj, një prej banoreve, e cila ka ardhur nga Italia me fëmijë të vogël për të mbrojtur tokat e familjes së saj.

Kujtojmë se prej më shumë se 2 javësh banorët e Rrjollit kanë përplasur me policinë për shkak se nuk lejojnë makineritë e kompanisë “Gener 2” të Bashkim Ulajt të ndërtojnë në tokat e tyre.

Ata i kanë bërë thirrje Bashkisë Shkodër dhe qeverisë që të ndërhyjnë pasi po u zaptohet toka, pro asnjë prej tyre nuk ka reaguar, duke i lënë përballë efektivëve të policisë, që kanë zgjedhur t’i dalin në mbrojtje biznesmenit Ulaj.

Por pas vendimit të sotëm të gjykatës së Apelit, duket se drejtësia do vihet në vend, teksa edhe familjet e tjera presin që t’u njihet pronësia e tokës, për të cilën zv.kryeministrja e pezulluar dhe e pandehur nga SPAK, Belinda Balluku, ka firmosur t’i jepet për resort biznesmenit Bashkim Ulajt.