Banka Botërore pret që ekonomia shqiptare të ngadalësohet në vitin 2026, duke parashikuar një rritje prej 3.4%, nga 3.7% që ishte në vitin 2025. Për vitin 2027, rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.6%, ndërsa në 2028 në 3.7%.
Sipas raportit të fundit “Përditësimi Ekonomik për Europën dhe Azinë Qendrore – Tetor 2026: Ta bëjmë Inteligjencën Artificiale të funksionojë: Punësimi, bizneset dhe produktiviteti”, ekonomia shqiptare pritet të ketë një nga ritmet më të larta të rritjes në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti.
Kosova kryeson rajonin me një rritje të pritshme prej 3.6%, e ndjekur nga Shqipëria me 3.4%, Mali i Zi me 3.3%, Maqedonia e Veriut me 3.2% dhe Serbia me 3.1%. Bosnjë-Hercegovina pritet të ketë rritjen më të ulët, prej 2.4%.
Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, Banka Botërore parashikon përshpejtim të rritjes ekonomike në 3.1% në vitin 2026, nga 2.6% në 2025. Konsumi i qëndrueshëm dhe një impuls më i fortë fiskal në disa vende po mbështesin aktivitetin, ndërsa çmimet më të larta të energjisë, kërkesa më e dobët nga Bashkimi Europian dhe dobësia e industrisë prodhuese po frenojnë besimin dhe investimet.
Në disa vende të rajonit, pasiguria politike ka vijuar të ndikojë negativisht tek investimet private dhe ka vonuar reformat e lidhura me procesin e integrimit europian.
Për vitet 2027-2028, Banka Botërore pret që rritja e Ballkanit Perëndimor të arrijë mesatarisht në 3.4%, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, investimet publike, turizmi dhe përmirësimi i eksporteve.
Për Shqipërinë, turizmi dhe ndërtimi pritet të vijojnë të mbështesin aktivitetin ekonomik, ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut rol më të rëndësishëm do të kenë projektet infrastrukturore.
Raporti evidenton edhe ecurinë e turizmit në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Vendi përfshihet mes ekonomive ku ardhjet turistike kanë vijuar të rriten, pavarësisht kostove më të larta të transportit dhe punës dhe problemeve të lidhura me udhëtimet ndërkombëtare.
Në tregun e punës, Banka Botërore vëren se norma e papunësisë ka rënë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi gjatë vitit 2026. Në pjesën më të madhe të Europës dhe Azisë Qendrore, punësimi është dobësuar, por pa u shoqëruar me rritje të ndjeshme të papunësisë.
Shqipëria përmendet edhe mes vendeve që kanë avancuar më shumë me reformat e lidhura me integrimin në Bashkimin Europian. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria, Moldavia dhe Mali i Zi kryesojnë përparimin në reforma, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi kanë forcuar institucionet fiskale.
Ndër masat e ndërmarra në Shqipëri përmenden financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe reforma në tatimin e pronës.
Në klimën e biznesit, raporti përmend Shqipërinë dhe Poloninë si vende ku licencat e operimit mund të lëshohen brenda tre ditëve. Banka Botërore nënvizon nevojën për dixhitalizimin e regjistrimit të kompanive, përshpejtimin e procedurave të licencimit dhe lejeve të ndërtimit dhe modernizimin e procedurave të falimentimit.
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut veçohen gjithashtu për procedurat kufitare, ku zhdoganimi i eksporteve kryhet mesatarisht brenda rreth një dite. Banka Botërore rekomandon zgjerimin e sistemeve “single ëindoë”, përshpejtimin e procedurave kufitare dhe përmirësimin e aksesit të bizneseve në informacionin tregtar.
Raporti përmend Shqipërinë edhe për masat e marra ndaj rritjes së çmimeve të energjisë. Gjatë vitit 2026, qeveria shqiptare ka përdorur kufizimin e çmimeve me pakicë të karburanteve, ndërsa vende të tjera të rajonit kanë përdorur ulje të akcizave, subvencione dhe masa të tjera lehtësuese.
Në nivel më të gjerë, Banka Botërore pret që rritja ekonomike në Europë dhe Azi Qendrore të ngadalësohet në 2.2% në vitin 2026, nga 2.6% në vitin 2025. Duke përjashtuar Rusinë, rritja pritet të zbresë në 3%, nga 3.7% një vit më parë.
Ngadalësimi lidhet me çmimet më të larta të energjisë së importuar, pasigurinë e shtuar, rritjen më të dobët në Bashkimin Europian dhe presionet më të forta konkurruese.
Konsumi po ngadalësohet në pjesën më të madhe të rajonit, ndërsa rritja e pagave reale dhe kredia konsumatore po humbasin ritëm. Investimet publike në energji dhe transport dhe përdorimi i fondeve të BE-së po mbështesin investimet, por investimet private po frenohen nga tensionet gjeopolitike, kostot më të larta të energjisë dhe kushtet më të shtrënguara të financimit.
Rreziqet për perspektivën ekonomike mbeten kryesisht në kahun negativ. Banka Botërore paralajmëron se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të mbajë të larta çmimet e energjisë, transportit, ushqimeve dhe plehrave kimike, duke dobësuar aktivitetin ekonomik dhe duke shtuar presionet inflacioniste.
Rreziqe të tjera lidhen me ndërprerjet në furnizimin me naftë dhe gaz, problemet me eksportet e drithërave nga Deti i Zi, kushtet më të shtrënguara të financimit global, fragmentimin e tregtisë, rritjen e borxhit dhe dobësimin e ekonomive të partnerëve kryesorë tregtarë.
Banka Botërore paralajmëron edhe për efektet e motit ekstrem mbi transportin, energjinë dhe prodhimin bujqësor, ndërsa rritja e produktivitetit, mungesa e fuqisë punëtore dhe plakja e popullsisë mbeten ndër sfidat kryesore afatmesme për ekonomitë e rajonit. Monitor