Dhoma e Ulët e Parlamentit të Australisë ka votuar me shumicë dërrmuese për të miratuar një projekt-ligj historik që ndalon përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 16 vjeç, bëjnë me dije mediat e huaja.
Projektligji i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën synon platformat e mediave sociale si TikTok, Facebook, Instagram dhe X me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (32 milionë dollarë) nëse nuk respektojnë ndalimin.
Pas kalimit me 103 vota pro dhe 13 kundër, projektligji do të kalojë në Senat, ku pritet të kalojë edhe me mbështetjen e partive kryesore të Australisë.
Ligjvënësi i opozitës Dan Tehan tha se qeveria kishte rënë dakord për amendamentet e bëra në Senat që do të forconin mbrojtjen e privatësisë për përdoruesit e mediave sociale, duke përfshirë një ndalim të platformave që detyrojnë përdoruesit të paraqesin identifikimin e lëshuar nga qeveria.
Nëse ndalimi bëhet ligj, kompanitë e mediave sociale do të kenë një vit kohë për të gjetur se si të zbatojnë urdhrin.
Kompanitë e teknologjisë i kishin bërë thirrje qeverisë australiane që të shtyjë votimin të paktën deri në qershor të vitit të ardhshëm, kur do të publikohen rezultatet e një studimi në teknologjinë e verifikimit të moshës.
“Në mungesë të rezultateve të tilla, as industria dhe as australianët nuk do ta kuptojnë natyrën ose shkallën e sigurimit të moshës që kërkohet nga projektligji, as ndikimin e masave të tilla te australianët”, tha Meta në një deklaratë këtë javë, pronari i Facebook dhe Instagram.
“Në formën e tij aktuale, projektligji është i paqëndrueshëm dhe joefektiv.”
Legjislacioni ka kaluar me shpejtësi në parlamentin e Australisë, ku ligjvënësit thonë se ndalimi është i nevojshëm për të parandaluar efektet e dëmshme të mediave sociale tek fëmijët.
Ndërsa ndalimi është mbështetur gjerësisht në parlament, disa ligjvënës të opozitës kanë argumentuar se legjislacioni dështon të adresojë shumë nga problemet themelore me mediat sociale duke kufizuar të drejtat e australianëve.