Auditi i KLSH zbulon abuzimet në Agjencinë për Pasuritë e Sekuestruara: Punësime nepotike e korrupsion, pasuritë rrezikojnë t’i kthehen krimit

Auditi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar korrupsionin në Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Në raportin që ende nuk ëhstë publikuar nga KLSH për shkak të respektimit të afateve zyrtare, thuhet se në agjencinë e drejtuar nga Adrian Koni ka disa problematika, duke nisur nga mosinventarizimi sipas kërkesave të ligjit, shkeljet e rënda në procedurat për shitjen e pasurive të konfiskuara, abuzime me kontratat e punonjësve dhe punësime të dyshuara nepotike e korruptive.

Sipas KLSH-së, këto problematika kanë rritur riskun e kthimit të këtyre pasurive te personat e dënuar nga drejtësia. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nga krimi i organizuar, apo korrupsioni menaxhonte në fund të dhjetorit të vitit të kaluar prona me vlerë gati 140 milionë euro.

KLSH konstaton se mungesa e krijimit të një baze të dhënash në lidhje me një informacion të përgjithshëm për të gjitha pronat e sekuestruara e të konfiskuara, mungesa e regjistrimit dhe monitorimit të të gjithë objekteve të sekuestruara dhe të konfiskuara të dhëna me qira, janë tregues i qartë që objektivat e krijimit të sistemit nuk janë arritur e për rrjedhojë niveli i riskut në lidhje me mbarëvajtjen e punës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është i lartë.

Në raport thuhet se në pesë procedura prokurimi për shitjen e pronave të konfiskuara nga gjykatat është gjetur diferencë e madhe mes fondit limit të përllogaritur dhe vlerës së kontratës fituese. Gjithashtu kartelat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në fund të dhjetorit të vitit të kaluar nuk përmbajnë ekstraktet bankare dhe kartelat e inventarit të pasurive sipas administratorëve të tyre, nuk gjenden procesverbalet dhe mungon organizimi e dokumentimi i veprimeve kontabël të aktivitetit të administratorëve që janë ngarkuar për këto prona.

Në fund të raportit, KLSH rekomandon që drejtuesi i kësaj agjencie, Artan Koni, të shkarkohet nga detyra.