Associated Press i ka dedikuar një artikull ligjit për legalizimin e kanabisit, i cili u miratua gjatë natës së kaluar në Kuvend, me gjithë kundërshtitë dhe pikëpyetjet që ka hasur çështja.
Organizata e lajmeve dhe raportimit ka shkruar se “Kuvendi i Shqipërisë legalizoi të premten kanabisin për qëllime mjekësore në një vend që dikur njihej si udhëkryq evropian për trafikun e marijuanës”.
Parlamenti votoi me 69 vota pro dhe 23 kunder për të lejuar rritjen e kufizuar dhe të kontrolluar të bimëve të kanabisit, një lëvizje e kundërshtuar ashpër nga opozita, thuhet më tej në shkrimin e “AP”, ku theksohet se “nuk ishte e qartë se si do të rregullohej kanabisi mjekësor”.
Qeveria beson se lejimi i prodhimit të kufizuar të kanabisit mund të rrisë të ardhurat nga taksat.
“Rritja e marihuanës lulëzoi në Shqipëri në të kaluarën pasi trafikantët e drogës shfrytëzonin mungesën e qeverisjes së fortë në vendin postkomunist.
Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria e majtë e Partisë Socialiste e kryeministrit Edi Rama vendosi shkatërrimin e bimëve të kanabisit si objektiv kryesor.
Gjatë dy viteve, ajo shkatërroi miliona bimë kanabisi me një vlerë tregu të vlerësuar prej 7 miliardë euro (8.5 miliardë dollarë), më shumë se dy të tretat e prodhimit të brendshëm bruto vjetor të vendit në atë kohë.
Në vitin 2014, një oficer policie u qëllua për vdekje gjatë një operacioni në fshatin Lazarat, në jug të vendit.
Shqipëria është ende një rrugë kryesore për trafikimin e drogave të forta. Policia ende godet rastet e izoluara të rritjes së kanabisit, por shumë më rrallë se një dekadë më parë”, mbyll artikullin “AP”.