Më datë 21 qershor në të gjithë vendin do të zgjidhen drejtuesit e rinj në universitetet publike dhe nuk pritet të ketë surpriza.
Fushata zgjedhore për të zgjedhur drejtuesit e rinj duke nisur nga rektori, dekani, shefat e departamenteve, por edhe anëtarët e senateve akademike ka nisur zyrtarisht ndërsa edhe në ato poste ku ka konkurrencë, në garë janë vetëm dy emra.
Ndërkohë ajo që bie në sy është fakti se në universitetet kryesore ka vetëm nga një kandidat në garë.
Shumica e kandidatëve janë në garë të pa sfiduar nga rivalë, duke ua bërë rrugën e lehtë për tu zgjedhur në postet drejtuese të universiteteve. Një pjesë e tyre rikandidojnë për një mandat tjetër.
Në universitetin e Tiranës, në garën për rektor ëshë vetëm Artan Hoxha, i cili kërkon një mandat të dytë.
Në universitetin e Mjekësisë në vend të rektorit Arben Gjatës, i cili ka plotësuar kushtin ligjor prej dy mandatesh dhe nuk mund të rikandidajë më, në garë është futur vetëm Xheladin Draçini, i cili është dekan i fakultetit të Mjekësisë.
E njëjta situatë edhe në univeristetin Politeknik, ku për rektor në garë është vetëm Akli Fundo.
Në universitetin Bujqësor rektori aktual Fatbardh Sallaku garon për një mandat të dytë dhe nuk ka kandidat tjetër.
Pra në 4 universitetet më të mëdha në vend, nuk ka alternativë në këto zgjedhje, ku drejtuesit e tyre dihen që pa nisur gara.
Rikujtojmë se drejtuesit e universiteteve dhe fakulteteve, mund të kandidojnë për një mandat të dytë, në rast se nuk e kanë plotësuar atë.
Një ditë para nisjes së fushatës zgjedhore në arsimin e lartë; Universiteti i Tiranës shpërndau 64 tituj profesor dhe profesor i asociuar për disa nga pedagogët e trupës së saj akademike.
Kandidatë për dekan në Fakultetet e Universitetit të Tiranës:
-Fakulteti i Ekonomisë, ikën nga drejtimi Dhori Kule, Bernard Dosti kandidat i vetëm.
-Fakulteti i Drejtësisë- Dorina Hoxha, kandidate e vetme (aktualisht e drejton).
-Fakulteti i Gjuhëve të Huaja- Esmeralda Kromidha, kandidate e vetme (aktualisht e drejton).
-Fakulteti i Histori-Filologjisë – largohet Sabri Laçi, në garë Mark Marku dhe Dhimitër Doka.
-Fakulteti i Shkencave të Natyres- largohet Spiro Dushku, në garë Eglantina Kalluçi dhe Endrit Xhina.
-Fakulteti i Shkencave Sociale – ikën nga drejtimi Edmond Rapti, në garë Edvin Lame dhe Eliona Kulluri.
Para pak ditësh, Sindikata e punonjësve të universiteteve bëri thirrje për mosnjohjen e procesit kur konkurron për rektorë, dekan apo shef departamentesh vetëm një kandidat.
Rikujtojmë se Shqipëria u radhit në fund të listës në klasifikimin e bërë nga dy renditësit më të rëndësishëm të cilësisë së universiteteve për Evropën Jugore. Ndërsa të dhënat e vitit 2023, tregojnë se katër Universite kanë rënë 200 vende nga renditja e vitit të kaluar.