Gjykata Kushtetuese zbardhi një vendim të diskutueshëm të miratuar 5 me 4 që duket se do ndikojë ndjeshëm në mos zvarritjen e proceseve administrative. Konkretisht, një familje nga Vlora çoi në Gjykatën Kushtetuese vonesën prej mbi 3 vitesh për të marrë një vendim në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë me pretendimin se u është mohuar e drejta për një proces të rregullt brenda një afati të arsyetueshëm, pasi ligji kërkon një afat prej 30 ditësh. Por vonesat që vijnë si pasojë e Reformës në Drejtësi kanë shkaktuar vite të tera pritje për qytetarët në Gjykatën Administrative.
Mesa duket, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fund këtij ngërçi. Me vendimin nr. 25, datë 11.5.2023, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën me shumicë të thjeshtë prej 5 votash, ndersa kryetarja e Gjykatës Holta Zaçaj dhe anëtarët Ilir Toska, Elsa Toska, Genti Ibrahimi kanë votuar kundër dhe kanë dhënë mendim pakice.
Sipas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin nr. 21, datë 16.6.2022, të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Vendimi ka konstatuar cenimit të së drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm si dhe vendosi detyrimin e Gjykatës Administrative të Apelit për të gjykuar brenda 9 muajve çështjen gjyqësore përkatëse.
Kështu, referuar këtij vendimi, mbi 3300 çështje në Apelin Administrativ do të duhet të kenë vendim brenda 9 muajve. Vendosja e këtij afati ka shkaktuar debat në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 anëtarët e saj kanë vlerësuar në mendimin e pakicës së ky kriter është iluzor. “Nga ana tjetër, duke detyruar Gjykatën Administrative të Apelit për të marrë në shqyrtim çështjen e kërkuesve brenda 9 muajve, në vlerësimin tonë shumica ka vendosur një kriter iluzor në raport me 3321 çështje aktualisht në shqyrtim nga gjyqtarja relatore”, thuhet në mendimin e pakicës.