Arrestohet një tjetër gardist, lëvizte me armë pa leje në Tiranë, përjashtohet menjëherë nga Garda

Një tjetër gardist ka rënë në prangat e Policisë mbrëmjen e djeshme, pasi lëvizte në Tiranë me armë pa leje.

Mësohet se i arrestuari është Kristjan Gjini, 32 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Arrestimi i gardistit u bë gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë në automjetin e tij, ku iu gjet një armë zjarri pistoletë pa leje. Ai ëhstë përjashtuar menjëherë nga Garda e Republikës.

Ky është gardisti i dytë që arrestohet në pak ditë, pas Martin Nikollit. Ky i fudnit u arrestua për dhunë ndaj familjes Kaç dhe përdorimin e armës së shërbimit, me të cilën qëlloi në ajër.

Njoftimi i Policisë:

Në kuadër të luftës kundër armëmbajtjes pa leje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Policia e Tiranës arrestuan në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, K.GJ., 32 vjeç. Ai u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Arrestimi i gardistit u bë gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë në automjetin e tij, ku iu gjet një armë zjarri pistoletë pa leje.

Gjithashtu gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan dy aparatë telefonikë. Hetimet po vijojnë dhe materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka firmosur përjashtimin e 32-vjeçarit nga radhës e Gardës.