Një punonjës punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit është arrestuar pas hetimeve të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri Taulant Balla, i cili thotë se ky punonjës është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.
Ky punonjës ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin në një mjet pavarësisht se skaneri i nxori dyshime, brenda të cilit gjendeshin 2 armë zjarri. Më pas, armët e zjarrit janë gjetur në Portin e Barit në Itali.
“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë hetimit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme, do të kontribojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor”, shkruan Balla.