Në kërkim nga SPAK, arrestohet biznesmeni Ergys Agasi

Arrestohet në Durrës biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK për skandalin me tenderët e AKSHI-T.

Burime për m3diat bëjnë të ditur se Forcat Operacionale i kanë vënë prangat në zonën e Plepave, teksa ka qenë duke udhëtuar me automjet, së bashku me Uljan Shpatarakun, ish-polici i shpallur në kërkim.

Agasi qëndronte i fshehur prej muajsh, teksa pak javë më parë u arrestua në Francë bashkëpunëtori i tij, Ermal Beqiri.

Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes.

Me vendimin nr. 289, datë 20 prill 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi sekuestrimin e një numri të madh pasurish në emër të pesë personave nën hetim.

Pasuritë përfshijnë apartamente dhe toka në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Kavajë, vila dhe prona të mëdha në zonën e Petrelës, automjete luksoze si Land Rover Defender dhe Volksëagen Tiguan, një jaht, si dhe disa subjekte tregtare.

Po ashtu janë sekuestruar edhe llogari bankare dhe shuma të konsiderueshme parash në banka dhe kompani private.