Është arrestuar me urdhër të SPAK, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Burime bëjnë me dije se GJKKO ka caktuar masën e “arrestit me burg” ndaj kryebashkiakut, i akuzuar për disa vepra penale. Po me kërkesë të SPAK, mësohet se ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Mesditen e sotme agjentët e BKH-së i kanë shkuar në zyrë Veliajt për ta shoqëruar drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Kujtojme së Erion Veliaj po hetohej për disa vepra penale: “korrupsion pasiv” , “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.
Që prej nisjes së hetimeve ndaj tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është marrë dy herë në pyetje nga SPAK. Veliaj dëshmoi në Prokurorinë e Posaçme për rreth 5 orë më datë 26 Dhjetor 2024 ku u pyet nga hetuesit, në kuadër të një hetimi pasuror të nisur muaj më parë. Pasditen e asaj dite, ai tha nga mbledhja e Këshillit Bashkiak se “ishte denoncuar në mënyrë anonime nga një personazh që nuk ekziston”.
Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, se cilës i është sekuestruar edhe telefoni nga ana e SPAK.
Më datë 6 dhjetor, agjentët e BKH shkuan për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij si dhe në qendrën “Harabel”, ku Ajola Xoxa është bashkëthemeluese.
Po ashtu agjentët e BKH kryen kontrolle edhe në banesën e vëllait të Erion Veliajt. Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve, por u rrëzuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Ndërkohë pritet që SPAK të dalë sot me një njoftim zyrtar lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj Veliajt. Kujtojmë se më herët disa prej drejtorëve të tij janë arrestuar me urdhër të SPAK lidhur me dosjen korruptive “5D”, por Veliaj hoqi përgjegjësin nga vetja e tij.