Arrestohet kreu i prokurimeve në Bashkinë Memaliaj, akuzohet për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve

Një ish-punonjës i Bashkisë Memaliaj është arrestuar pasi ka shpërdoruar detyrën. 31 vjeçari E.Sh, akuzohet se në periudhën 2023-2024, teksa ishte kryetar i komisionit për prokurimet publike ka mashtruar administratorët e disa subjekteve tregtare dhe ka falsifikuar dokumentet e nevojshme për disa procedura prokurimi.

Sipas njoftimit të Policisë ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

“Nga hetimet e kryera për disa muaj, me metoda proaktive, dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 2023-2024, kur ka qenë i punësuar në bashkinë Memaliaj, ka shpërdoruar detyrën si kryetar i komisionit për prokurimet publike, duke mashtruar administratorët e disa subjekteve tregtare dhe duke falsifikuar dokumentet e nevojshme për disa procedura prokurimi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.