Arrestohet Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja

Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është arrestuar ditën e djeshme nga Policia  e Krujës.

Ai ishte shpallur në kërkim për një sherr të ndodhur në tetor të vitit të kaluar, ku së bashku me babanë e tij, Flamur Rrajën, dhunuan Kujtim Cacën.

Sherri mes palëve nisi për një kanal dhe përfundoi me dhunimin e Cacës. Për këtë ngjarje, Flamur Rraja u arrestua në Nëntor të vitit 2024.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.”, thuhet në njoftimin e policisë.