Arrestimi i Veliajt, BE mesazh Ramës: Të mos bëhet presion i padrejtë mbi SPAK!

Bashkimi Europian ka reaguar për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, për korrupsion dhe pastrim parash. Delegacioni i BE në Tiranë thotë se po ndjek nga afër zhvillimet ndërsa shton se reforma në drejtësi dhe forcimi i shtetit të së drejtës janë kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë.

BE nënvizon se roli specifik dhe pavarësia e SPAK në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Një mesazh që vjen pas sulmeve që Rama bëri sot ndaj SPAK dhe gjyqtarit, Erion Bani, i cili firmosi arrestimin e Veliajt.

“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.

Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri” –thuhet në reagimin e BE-së.