Arratisja nga burgu i Shënkollit/ Arrestohen 3 gardianë, e ëma e Daut Lazes: Nuk e dimë se ku ndodhet

Tre punonjës të burgut të Shënkollit janë arrestuar nga policia pas arratisjes së të burgosurit 49-vjeçar Daut Laze ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.

Ndërkohë familjarët e tij kanë thënë se nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet Laze. E ëma e 49 vjeçarit ka thënë për mediat se nuk ka kontaktuar me të birin që pasi ai u arratis nga burgu i Shënkollit.

“Nuk kemi asnjë haber fare, por të kisha do të thosha”, është shprehur e ëma e Lazes.

I arrestuar prej Nëntorit të vitit 2021 për veprën penale “Dhunë në familje”, Daut Laze ndodhej në burgun e Shënkollit me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila në Nëntor të 2024 ka caktuar ndaj tij masën “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”. Ndërkohë Policia e Shtetit ka vendosur shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e tij.