Arratisja spektakolare e Altin Ndocit, Ministria e Drejtësisë shkarkon drejtorin e burgut të Durrësit

Është shkarkuar nga detyra drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, pas arratisjes së Altin Ndocit një ditë më parë nga spitali i qytetit, ku kishte shkuar për disa kontrolle.

Vendimi për shkarkimin vjen pasi siç njoftoi Drejtoria e Burgjeve më herët gjatë ditës, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Ndërkohë në lidhje me këtë rast janë arrestuar edhe 7 punonjës së policisë së burgjeve dhe një i IEVP Durrës, të cilët kishin përgjegjësi në shoqërimin e Ndocit.

Ky i fundit akuzohet për disa vepra penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.