Arrestohet 19 vjeçari që shkaktoi aksidentin me dy të vdekur në Krumë, ishte pa patentë në timon

Policia e Kukësit ka vënë në pranga shoferin, i cili shkaktoi aksidentin me dy të vdekur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Golaj-Krumë.

Në pranga ka rënë 19-vjeçari me inicialet A.L., banues në fshatin Nikoliq. I riu, sipas policisë, në momentin e ngjarjes e drejtonte makinën e tij pa patentë. Si pasojë e aksidentit humbën jetën drejtuesi i mjetit tjetër që u përfshi në aksident, shtetasi N.S dhe pasagjeri.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë A. L., 19 vjeç, banues në fshatin Nikoliq, pasi nga përplasja e automjetit që ai drejtonte pa leje drejtimi me automjetin me drejtues N. S., 68 vjeç, banues në fshatin Vlahën, humbën jetën shtetasi N. S. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi Z. N., 64 vjeç, banues në fshatin Nikoliq”, bën me dije policia vendore.