Një vrasje të dytë. Kështu e ka konsideruar familja e Novruz Cenalisë, vendimin e Gjykatës së Apelit për të ulur në 35 vite dënimin ndaj Azgan Mërnicës, që dy vite më parë vrau efektivin e Shqiponjave.
“Gati vrasje e dytë për ne si familjarë. Jo vetëm për ne por edhe për organizatën e policisë. Vetëm reagimet e kolegëve sot, ishin reagime shumë dëshpëruese ndaj këtij vendimi. Por është nvrjë vendim drejtësie, e ka dhënë një gjykatë.”, tha Asllan Cenalia në një intervistë për Klan News.
Ai ka thënë se vendimi i “ra si bombë dhe nuk e priste”.
Ai ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit kur është dhënë vendimi dhe është tronditur nga gjykimi. Sipas tij, drejtësia nuk është bërë.
“S’kishte asnjë rrethanë lehtësuese. Edhe argumentet nuk i mora vesh. Shpresova që vendimi do lihej në fuqi”, vazhdon ai.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit në Tiranë zbuti dënimin ndaj Mërnicës, të cilin Gjykata e Fierit e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Lidhur me këtë vendim, një ditë më parë reagoi edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, duke thënë se rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës.