Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së Parë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Kokën.
Vendimi i Shkallës së Parë ishte ankimuar nga SPAK, pasi në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi të shuajë masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin, lidhur me hetimin për inceneratorin e Fierit.
Lefter Koka u prangos në dhjetor të 2021, për 3 vepra penale: shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Fillimisht ai u vu në akuzë për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa në mars të vitit 2022 iu komunikua edhe akuza për inceneratorin e Fierit dhe më vonë për atë të Tiranës.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Tereza Merkaj, sot më datë 26.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 66 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “Ankim kundër vendimit nr. 798, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit L.K, me vendimin nr. 22, datë 23.06.2022, të Gjykatës e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësore në datë 29.03.2022, ora 09:15 dhe e lënë në fuqi me vendimin nr. 23, datë 31.03.2022, të po asaj Gjykate”, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 798, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit”,- thuhet në njoftimin e Apelit.