Apeli i GJKKO lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Kërkesa ishte bërë nga Balluku kur ajo ishte ende në detyrë si zv.kryeministre dhe ministre e infrastrukturës dhe Energjitikës, teksa prej disa ditësh ajo është shkarkuar nga të dyja postet.

Ndërkohë, në seancën plenare të 12 Marsit në Kuvend, deputetët do të votojnë nëse do t’i japin autorizim Prokurorisë së Posaçme të arrestojë Belinda Ballukun. Opozita e ka shprehur qëndrimin e saj pro arrestimit, ndërsa pritet me interes se çfarë do të bëjë mazhoranca, nëse do ta lërë drejtësinë të veprojë, apo do të bëhet mburojë dhe do të dalë kundër kërkesës së zyrtarëve të Bashkimit Europian për të zgjidhur këtë çështje.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.

Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj ish-zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ish-ministren.