Apeli i GJKKO e dënoi me 2.8 vite burg, Fran Frrokaj nga arratia bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite e 8 muaj burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pasi u gjet fajtor për lejimin e tjetërsimit të pronave në zonën e njohur si Rana e Hedhun, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Nga arratia, Frrokaj kërkon pezullimin e dënimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit deri në shqyrtimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Pas marrjes së urdhrit të ekzekutimit nga Apeli, Policia ka kryer disa kontrolle në banesën e Frrokajt, por ai nuk është gjetur.

Kujtojmë se Apeli prishi vendimin e GJKKO-së që kishte dënuar Frrokajn me 1 vit e 4 muaj burg dhe pranoi kërkesën e prokurorit Dritan Prenci për një dënim 4 vite, i ulur me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.