Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Arben Ahmetaj për heqjen e pasurive që i janë vënë nën sekuestro me kërkesë të SPAK.
Nga arratia, Ahmetaj ka kërkuar me anë të avokatëve të tij që të hiqet sekuestro mbi 4 apartamentet në pronësi të tij, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme i ka sekuestruar dhe 2 llogari bankare tij në shumën 124 300 Euro.
Ish-ministri akuzohet nga SPAK si i përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe mbi të rëndojnë veprat penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste; “Mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim; “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar teksa avokatët e tij kanë deklaruar se ai ndodhet në Angli pranë familjes. Vetë Ahmetaj ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka deklaruar se është i pafajshëm, por edhe ka theksuar se nuk do të kthehet në Shqipëri derisa të dalë e vërteta.