Pas 12 vitesh në pushtet, ndoshta duhej të kishte ardhur koha që “garda e vjetër” të mos përfshihej fare në listat e kandidatëve, por nuk ka qenë i këtij mendimi kryeministri Rama, që ka marrë sërish nën strehën e PS-së një pjesë të mirë të atyre që kanë disa mandate si deputetë.
Lista e publikuar ditën e djeshme kisha disa surpriza, për shkak se u futën një numër i madh të rinjsh në lista të sigurta, ndërkohë që u rikonfirmuan ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa edhe vetë kreu i qeverisë e vendosi emrin e tij në listën e sigurt.
Lexo edhe: E PLOTË/ Këta janë 186 kandidatët e Partisë Socialiste për 11 Majin
Deputetët e larguar
Në Partinë Socialiste, Rama vendosi të spastrojë 25 deputetë aktualë, duke mos i rikandiduar as në listat e hapura. Qarku me më shumë deputetë që nuk do të jenë më në Kuvend është Fieri, pasi janë 7 deputetë aktualë që nuk kandidojnë në 11 Maj.
Edhe Vlora me 5 deputetë është një tjetër qark që është spastruar nga Rama, ndërkohë që nuk janë në listë as Luljeta Bozo, Agron Çela dhe Paulin Sterkaj.
Një listë nën mbikëqyrje nga SPAK
As hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nuk e ndaluan Ramën të fusë në listat e kandidatëve njerëz që kanë ende llogari të hapura me drejtësinë.
Klotilda Bushka në dosjen “Veliaj”; Olta Xhaçka për investimin strategjik të bashkëshortit; Plarent Ndreca për tenderat e Komisariateve; Ceno Klosi për disa akuza; Ilir Ndraxhi që doli në përgjimet e klaneve të krimit; janë disa nga emrat që u futën në listat e kandidatëve nga Rama, por që janë nën vëzhgimin e SPAK dhe shumë shpejt mund të kenë edhe fatin e Erion Veliajt.
Privatizimi i mandatit
Teksa Rama synon që të sjellë në PS një frymë të re, do të ketë edhe nga ata deputetë që vendin e tyre do t’ua trashëgojnë të afërmve, pavarësisht se këta të fundit nuk njihen për ndonjë kontribut në Partinë Socialiste.
Agron Çela i la vendin në listën e sigurt të Shkodrës vajzës së tij, Xhenis Çela, ndërsa në vend të Paulin Sterkaj do të jetë një i afërm i tij, Shkëlqim Sterkaj.
Mercenarët që iu bashkuan Partisë Socialiste
Deri pak kohë më parë, ata ishin të parët në protestat e opozitës dhe hidhnin akzua të ndryshme për qeverinë dhe kryeministrin Rama, por dje ulën kokën dhe i puthën dorën për t’u futur në listat e kandidatëve.
Janë disa ish-zyrtarë apo akndidatë të opozitës që këto zgjedhje ndryshuan kah dhe zgjodhën të dalin si kandidatë të mazhorancës.
Indrit Braimllari, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, pas largimit të zhurmshëm nga partia e ilir Metës vendosi t’i bashkohet socialistëve, për të garuar në listën e hapur në qarkun e Tiranës, përballë atyre që deri dje i kishte bashkëudhëtarë.
Blendi Sulaj është një tjetër emër që iu bashkua Partisë Socialiste, teksa më herët mbante postin e nën/Kryetarit të Partisë Republikane të drejtuar nga Fatmir Mediu.
Gjithashtu në listat e PS-së do të jetë edhe ish-deputeti demokrat i Kukësit, Alban Zeneli. Ky i fundit nuk u përfshi në listat e opozitës dhe vendosi të shkojë me kundërshtarët e tyre.
Teksa Shpëtim Idrizi i siguroi vendin e sigurt Mesila Dodës dhe doli vetë në listë të hapur, deputeti tjetër i kësaj partie, Nusret Avdulla, vendosi t’i bashkohet socialistëve dhe të kandidojë në listën e hapur në qarkun e Fierit.
Lindita Nikolla lë pas problemet shëndetësore
Lindita Nikolla hoqi dorë në Korrik të vitit të kaluar nga posti i Kryetares së Kuvendit, për shkak të problemeve shëndetësore, siç deklaroi vetë ajo. Në fjalën e saj, ajo tha se me largimin nga detyra, do të kishte më shumë kohë për familjen e saj.
Por, opozita e akuzoi se po e sajonte sëmundjen pasi kishte marrë urdhër për t’i dorëhequr nga Rama, teksa vetë Nikolla i hodhi poshtë këto akuza.
Me sa duket, fatmirësisht ajo i ka kaluar problemet shëndetësore dhe është rikthyer t’i shërbejë sërish Partisë Socialiste, pasi Rama e ka vendosur në listën e sigurt në qarkun e Tiranës, ku do të jetë e angazhuar me fushatën.
Shpërblim për analistët e “pavarur”
Duhet t’i keni dëgjuar shpesh që shfaqen në emisione televizive si analistë të pavarur dhe nuk lënë lavd pa i thurur qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Ilva Gjuzi e mori shpërblimin disa muaj më parë kur u emërua zv.ministre, pasi deklaroi se “Rama është 10 hapa para të tjerëve”. Mjaftoi një shfaqje e saj për të marrë shpërblimin, ndërkohë që vjen edhe një tjetër dhuratë, pasi ajo ka siguruar vendin në listën e sigurt të Tiranës.
Iris Luarasi, e njohur për shërbimet që i bën qeverisë në media, ku nuk lë rast pa mburrur kryeministrin Rama, arriti që ta fitojë vendin në listën e sigurt, ku tashmë do të mund të shfrytëzojë edhe foltoren e Kuvendit për t’i bërë komplimente kryeministrit për qeverisjen e “mirë” që ka bërë në 12 vite.
Julian Zyla është një tjetër analist “i pavarur” që deri pak kohë më parë shfaqej shpesh në emisionet e mbrëmjes dhe mbronte me zell të madh punën e qeverisë, i cili arriti të marrë një vend në listën e socialistëve, pavarësisht se do të garojë në atë të hapurën, ku asgjë nuk është e sigurt.