Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në qeverisje dhe shërbime publike në Shqipëri, pa një kuadër të plotë ligjor, pa transparencë të mjaftueshme dhe pa mbikëqyrje të pavarur. Kjo është një nga gjetjet kryesore të dokumentit të politikave “Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Epokën e Inteligjencës Artificiale: Qasjet e Legjislacionit të BE-së dhe Shqipërisë”, të publikuar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH).
Dokumenti është i pari i këtij lloji në Shqipëri që analizon në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikimin e inteligjencës artificiale mbi të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Analiza tregon se teknologjitë e IA-së po avancojnë më shpejt se kapaciteti institucional për t’i rregulluar, duke krijuar rreziqe konkrete për privatësinë, mbrojtjen e të dhënave personale, barazinë, lirinë e shprehjes dhe llogaridhënien publike. Ndër gjetjet kryesore evidentohet se vendimmarrja automatike, përdorimi i algoritmeve në administratë dhe zgjerimi i sistemeve të monitorimit digjital po ndodhin pa vlerësime publike të ndikimit mbi të drejtat e njeriut, pa informim të qytetarëve dhe pa mekanizma efektivë ankimi. Dokumenti paralajmëron se, në mungesë të garancive ligjore dhe demokratike, inteligjenca artificiale mund të shndërrohet nga një mjet modernizimi në një faktor rreziku për të drejtat themelore.
Dokumenti vendos përdorimin e IA-së në Shqipëri në kontekstin e integrimit evropian dhe analizon përafrimin me Aktin e Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale dhe Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale. Gjetjet tregojnë se nevojitet një qasje urgjente dhe gjithëpërfshirëse për të ndërtuar rregulla të qarta, mekanizma mbikëqyrjeje dhe përgjegjësi institucionale.
Në bazë të këtyre gjetjeve, SCiDEV dhe KShH bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional: vendosjen e vlerësimeve të detyrueshme të ndikimit mbi të drejtat e njeriut për sistemet e IA-së, transparencë të plotë mbi përdorimin dhe kontratat e IA-së në sektorin publik, përfshirjen e institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile në mbikëqyrje, si dhe përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet evropiane.
Si hap i radhës, SCiDEV dhe KShH njoftojnë zhvillimin e një Indeksi të ardhshëm mbi Ndikimin e Inteligjencës Artificiale në të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, i cili do të shërbejë për të monitoruar në mënyrë sistematike rreziqet në zhvillim, trendet dhe reagimet institucionale lidhur me përdorimin e IA-së.