“Pyet 50 mijë vetë, e bëj si di vetë”!
Ky duket të ketë qenë parimi me të cilin Sali Berisha ka bërë listat e kandidatëve për deputetë të koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Lista e sigurt e Partisë Demokratike përfshin ata që i kanë qëndruar gjithmonë besnikë Berishës, duke i dalë në krah në betejën e tij me Lulzim Bashën e tashmë duke sulmuar Prokurorinë e Posaçme.
Lista solli debate të shumta brenda PD-së, teksa disa prej kandidatëve që duhet të ishin në listë të hapur refuzuan të kandidonin dhe u tërhoqën, ndërsa të tjerë pranuan verdiktin e kryetarit, pavarësisht pakënaqësive.
Berisha zhvlerëson Primaret, më të votuarit jashtë listave të sigurta
Partia Demokratike zhvilloi procesin e primareve në një kohë shumë të shkurtër, teksa detyroi edhe kryetarët e degëve të dorëhiqeshin nëse do të donin të kandidonin për deputetë.
Primaret u propaganduan si një model europian nëpërmjet të cilit më shumë se 50 mijë anëtarë të PD-së do të zgjidhnin ata që dëshironin t’i përfaqësonin në Kuvend, por në fund rezultuan të ishin vetëm fasadë.
Kandidatët më të votuar në Primare u lanë jashtë listave të sigurta. Dashnor Sula reagoi i pari duke u tërhequr nga PD, sepse Kryesia e vendosi në listë të hapur, pavarësisht se doli më i votuari i primareve në qarkun e Elbasanit.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Hysen Kadiun, ish-kreun e degës së Kavajës, i cili pavarësisht se ishte më i votuari në qarkun e Tiranës, nuk u përfshi në listën e sigurt. Në fund, edhe ai vendosi të tërhiqet nga lista e hapur.
E kundërta ndodhi me Jorida Tabakun, Ilir Alimehmetin dhe Dhurata Çupin, të cilët pavarësisht se morën qindra vota dhe ishin nga më të votuarit në Tiranë, u detyruan që në listat e sigurta të shohin njerëzit e afërt të Berishës dhe jo emrat e tyre, por në fund pranuan vendimin e kreut të PD-së.
Rikthim i “xhaketave të vjetra”
Lista e PD-së duket se do të sjellë sërish në Kuvend disa “xhaketa të vjetra” të PD-së, që dukej sikur ishin larguar nga politika prej kohësh. Berisha riktheu në listat e sigurta Jozefina Topallin, Gent Strazimirin, Eno Bozdon e Aurel Bylykbashin, duke u siguruar mandatet e deputetëve.
Ndërsa në listën e hapur janë shumë prej atyre që u larguan nga Lulzim Basha, të cilët u rikthyen sapo Berisha mori sërish Partinë Demokratike.
Myslim Murrizi, Arben Ristani, Xhemal Gjunkshi e Andrea Mano garojnë në listat e hapura.
Aleatët, kush qeshi e kush u zhgënjye
Koalicioni me 25 parti krijoi një problem për Partinë Demokratike, pasi do të duhej të kënaqte edhe aleatët me vende në listë, disa në atë të mbyllur e disa në të hapur.
Partia e Lirisë ishte ajo që mori 4 vende të sigurta në Tiranë, Elbasan dhe Fier, ndërkohë që Ilir Meta vendosi të kandidojë në listën e hapur në kryeqytet, me besimin se do të arrijë të marrë votat e mjaftueshme për të qenë sërish deputet, pavarësisht se ndodhet në burg me vendim të GJKKO-së.
PDIU e Shpëtim Idrizit arriti të fusë në listën e sigurt Mesila Dodën, ndërsa vetë kreu i partisë e gjeti veten në listë të hapur. Vetëm pak minuta para përfundimit të afatit të dorëzimit të listave, ai shkoi me urgjencë në zyrën e Berishës, teksa nuk dihet nëse kandidimi i tij në listë të hapur ka qenë me dijeninë e tij, apo surprizë e keqe që iu bë nga PD.
Aleanca e Maqedonasve u largua nga koalicioni paradite e djeshme, duke u bashkuar me PS-në, ndërkohë që shumë nga partitë e vogla nuk do të kenë asnjë kandidat as në listat e hapura, çfarë do të thotë se nuk do të kemi sërish në Kuvend Kujtim Gjuzin apo Selami Jenishehrin.
Të pakënaqurit që refuzuan të kandidojnë
12 prej deputetëve aktualë të Partisë Demokratike refuzuan të kandidojnë në listat e hapura, duke u tërhequr nga gara.
Dashnor Sula e deklaroi publikisht se i ishte bërë padrejtësi, ashtu si Ilda Dhori, ndërsa të tjerët i kursyen kritikat për kryetarin e partisë, pavarësisht se disa bënë edhe postime ironizuese.
Deputetët e PD që refuzuan kandidimin:
- Helidon Bushati
- Kasem Mahmutaj
- Eralda Bano
- Emilja Kolici
- Ferdinand Xhaferraj
- Lefter Gështenja
- Qani Xhafa
- Zheni Gjergji
- Orjela Nebilaj
- Ilda Dhori
- Dashnor Sula
- Sorina Koti