AMNISTIA PENALE/ Si u tentua të shpëtoheshin nga burgu ish-zyrtarët e PS-së, ndërkombëtarët detyruan Ramën të tërhiqte ligjin

Prej më shumë se 1 muaji projektligji i Amnistisë Penale ishte në qendër të vëmendjes nga Ministria e Drejtësisë, me ministrin Ulsi Manja që i bëri thirrje disa herë opozitës të bashkonin votat për të lehtësuar dënimet e më shumë se 700 të burgosurve.

Për të bindur opozitën të jepte votat, mazhoranca futi në draftin e Amnistisë edhe disa amendamente të deputetëve opozitarë, mes tyre Bledion Nallbati i Rithemelimit dhe Enkelejd Alibeajt i PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha.

Por, në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve, përpara se ky projektligj të kalonte në Kuvend, u fut një amendament, sipas të cilit do të përfitonin ulje dënimi edhe zyrtarët e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Për ta bërë sa më bindës, mazhoranca ia faturoi propozimin e këtij projektligji Bledion Nallbatit, i cili kishte propozuar një amendament, por që nuk kishte të bënte aspak me atë çfarë deklaroi ministri Ulsi Manja në Komisionin e Ligjeve.

Menjëherë pas deklaratës së Manjës, reagimet ishin të shumta, teksa vetë deputeti Nallbati e përgënjeshtroi një propozim të tillë, duke publikuar edhe amendamentin të cilin ai kishte propozuar. E vërteta doli më pas, ky amendament ishte propozuar nga socialisti Plarent Ndreca.

Por pse mazhoranca tentoi të fuste fshehurazi një amendament të tillë?

Zyrtarët e dënuar të Partisë Socialiste ndër vite janë të shumtë, ndaj edhe një amendament i tillë do të shpëtonte disa prej tyre nga burgu. I tillë është rasti i ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili është liruar nga burgu dhe i është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, por mund të dalë “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare, kur Shërbimi i Provës është dakord”.

Një tjetër i dënuar që do të përfitonte është edhe ish-ministri Lefter Koka, i dënuar për aferën e inceneratorëve. Atij do t’i ulej një vit nga dënimi me burg që ka dhënë GJKKO, teksa i është sekuestruar edhe pasuria.

Bashkë me Kokën do të përfitonte edhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako, edhe ky i dënuar për aferën e inceneratorëve. Madje, kjo amnisti do t’i lejonte Bllakos të linte qelinë, pasi i ka mbetur më pak se 1 vit nga vuajtja e dënimit.

Duheshin 84 vota…

Për të miratuar projektligjin e Amnistisë Penale duhen 84 vota, të cilat mazhoranca nuk i ka, ndaj thirrjes për opozitën ka qenë të vazhdueshme. Pavarësisht se opozita kishte deklaruar se nuk do të bashkonte votat, disa prej deputetëve ishin tunduar.

Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se mazhoranca kishte arritur t’i siguronte 84 votat e nevojshme për miratimin e Amnistisë. Disa prej deputetëve të opozitës kishin rënë dakord që të bashkonin votat me mazhorancën dhe do të ngrinin kartonin jeshil në seancën e radhës në Kuvend.

PRAPASKENAT/ Përse u tërhoq mazhoranca?

Sapo ministri Ulsi Manja njoftoi se në draftin e Amnistisë ishte futur edhe amendamenti që do të shpëtonte ish-zyrtarët e PS-së nga burgu, ndërkombëtarët ngritën alarmin, pasi puna e tyre në mbështetjen e drejtësisë për kapjen e zyrtarëve të korruptuar po hidhej poshtë nga një amendament i mazhorancës.

Kryeministri Rama, i cili po kthehej nga vizita zyrtare në Turqi së bashku me disa ministra, pati disa telefonata nga ambasadorët e huaj, të cilët kërkonin të dinin përse një amendament i tillë absurd ishte vendosur në draftin e Amnistisë.

I gjendur përballë presionit të ndërkombëtarëve, Rama shfrytëzoi daljen në media pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste për të justifikuar gjithçka. Ai deklaroi se ministri Manja ishte keqkuptuar dhe s eky projektligj nuk do të votohej në Kuvend.

Një justifikim i thatë, por që tregon shumë për mënyrën se si u tentua të manipulohej drafti i Amnistisë, duke ia faturuar kostot opozitës. Ndërkohë, ende nuk ka një deklaratë nga ministri Manja, se cili ishte keqkuptimi që krijoi një skandal kaq të madh, që fatmirësisht u kap në kohë dhe nuk u votua, siç është bërë me projektligjet e tjerë.