Amerikanët padisin ‘Air Albania’ në gjykatën angleze: Ndërpreu pagesën e qirasë në mars, po na mban avionin me forcë

Një kompani amerikane nga Florida ka ngritur padi kundër flamurit shqiptar të ajrit, Air Albania, si i pandehur i parë, dhe Turkish Airlines si i pandehur i dytë, para Gjykatës së Lartë të Anglisë dhe Uellsit, duke pretenduar shkelje të kontratave të qirasë për dy avionë të tipit A320-200.

Gat Aircraft and Engine Leasing Limited, degë e GA Telesis, e ka paraqitur padinë më 1 gusht në gjykatën britanike duke pretenduar se transportuesi kombëtar shqiptar ndaloi së paguari qiratë për dy avionët, respektivisht avionin ZA-ASM (msn 3676) dhe atë ZA-MMK (msn 4934), në mars 2025. GA Telesis gjithashtu pretendon se linja ajrore ka shkelur detyrimet e tjera ndaj palëve të treta, përfshirë Eurocontrol. Kjo e shtyu qiradhënësin të ndërpresë kontratat e qirasë.

“Në shkelje të mëtejshme të kontratës, Air Albania nuk ka arritur ta ridorëzojë avionin; dhe vazhdon të operojë në mënyrë të paligjshme avionin 3676 [ZA-ASM],” shkruan kompania amerikane në padi.

Ajo i ka kërkuar gjykatës një urdhër ndalimi kundër çdo operacioni të mëtejshëm me ZA-ASM, një urdhër për të konfirmuar ndërprerjen e kontratave të qirasë dhe për të ridërguar të dy avionët me motorë, paratë e papaguara të qirasë dhe dëme e kosto të paspecifikuara.

Kapitali ka mundur të sigurojë dispozitivin e padisë së depozituar në gjykatën britanike.

Ekskluzive/ Amerikanët padisin Air Albanian në gjykatën angleze:

Padia e GA Telesis ndaj Air Albania ne gjykaten britanike

Kompania amerikane tha se i bëri një kërkesë zyrtare Turkish Airlines, si garantues sipas marrëveshjes së qirasë së Air Albania, për pagesën e qirave të papaguara më 14 korrik, të cilën kompania turke refuzoi ta respektonte.

Lajmi i padisë është bërë publik fillimisht nga Ch-Aviation, një portal zvicerian i specializuar në lajmet e aviacionit. Portali zvicerian ka kontaktuar edhe palët për këtë zhvillim.

GA Telesis refuzoi të komentonte mbi procedurat ligjore në vazhdim, ndërsa Air Albania dhe Turkish Airlines nuk iu përgjigjën kërkesave të përsëritura të ch-aviation për koment.

Turkish Airlines mban një pjesë prej 49% të aksioneve në Air Albania. Të dhënat e Flightradar24 tregojnë se ZA-ASM është parkuar në Aeroportin e Stambollit që nga 6 gushti, pak pasi GA Telesis ngriti padinë.

Disa media shqiptare raportuan se avioni ishte konfiskuar, megjithëse ch-aviation nuk mundi t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Ndërkohë, avioni ZA-MMK është pezulluar në Aeroportin e Stambollit që nga 22 korriku 2024./ Kapitali.al