Ambasadori i BE takon Shehajn e Kaprin: Demokracia e shëndetshme varet nga një fushë loje e barabartë për të gjithë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato është takuar me kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe deputetin Erald Kapri.

Gjatë takimit u diksutua rreth nevojës nevojën për të forcuar proceset demokratike dhe për të çuar përpara reformën zgjedhore në Shqipëri.

Gonzato kërkoi veçanërisht angazhim të vazhdueshëm mes partive politike për të realizuar prioritetet kyçe të reformës zgjedhore

Sipas tij, një demokraci e shëndetshme varet nga pluralizmi politik dhe një fushë loje e barabartë për të gjithë.

“Javën e kaluar u takova me deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri të Partisë Mundësia. Diskutuam nevojën për të forcuar proceset demokratike dhe për të çuar përpara reformën zgjedhore në Shqipëri.

Folëm gjithashtu se si anëtarësimi i Shqipërisë në BE mund të ndihmojë në rritjen e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe integritetit të institucioneve demokratike. Dialogu, respekti për shtetin e së drejtës dhe pjesëmarrja kuptimplotë e të gjithë aktorëve politikë janë thelbësore për reforma që u përgjigjen aspiratave të qytetarëve.

Duhet të vijojmë agjendën e reformave të Shqipërisë. Rekomandova veçanërisht angazhim të vazhdueshëm mes partive politike për të realizuar prioritetet kyçe të reformës zgjedhore.

Një demokraci e shëndetshme varet nga pluralizmi politik dhe një fushë loje e barabartë për të gjithë.” tha Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.