Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf kërkoi falje dhe u përkul para monumentit të viktimave të fshatit Borovë, të masakruar nga nazistët gjermanë 80 vite më parë. Ai tha gjatë ceremonisë përkujtimore se ndien turp të madh edhe pse sot përfaqëson një Gjermani ndryshe.
“Në këtë vend, në këtë orë, unë si gjerman ndjej një turp të madh edhe ose sot përfaqësoj një Gjermani ndryshe. Ndaj sot jam i lumtur që gjermane dhe shqiptarë kujtojnë këtë ngjarje. Përkujtimi është gjë e nevojshme dhe viktimat kanë të drejtën e kujtesës”, tha ambasadori gjerman.
Me gjestin e tij të madh, ambasadori Zingraf u tregoi shqiptarëve rëndësinë e pendesës dhe faljes. Ndonëse në Shqipëri janë vrarë mijëra shqiptarë nga komunizmit, më shumë se sa nga nazistës, asnjë shqiptar me pozitë nuk ka kërkuar falje dhe nuk është përulur para kujtimit të tyre. Madje, sot ka ende mijëra shqiptarë të ekzekutuar nga komunistë që janë ende pa varr.
Masakra e Borovës ishte më e rënda e bërë nga pushtuesit gjatë luftës në Shqipëri. Kur pararoja e Divizionit I Alpin të Vermahtit me 24.000 ushtarë gjermanë nisi marshimin nga Follorina për në Korçë me destinacion Janinën, ra në një pritë partizane të ngritur nga batalioni “Tomorri”, i cili kujtonte se ishte autokolonë italiane, që shkonte në Përmet. Kur panë se kishin të bënin me gjermanë, partizanët u tërhoqën në male, pa siguruar mbrojtjen e banorëve. Për hakmarrje ushtria gjermane dogji Borovën dhe vrau 107 banorë të pafajshëm.
Sipas burimeve arkivore gjermane dhe shqiptare, në këtë përpjekje nuk pati asnjë të vrarë nga të dy anët, vetëm disa të plagosur lehtë, por u pasua me një masakër hakmarrëse të nazistëve gjermanë ndaj popullsisë së pafajshme.