Deklaratat e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, kanë shkaktuar reagime të ashpra në botën arabe dhe myslimane, pasi ai u shpreh se Izraeli ka të drejtë mbi një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme.
Komentet u bënë gjatë një interviste me komentatorin konservator Tucker Carlson, e transmetuar të premten. Carlson iu referua Biblës, duke thënë se sipas saj, pasardhësit e Abrahamit do të merrnin tokë që sot do të përfshinte pothuajse të gjithë rajonin, dhe e pyeti Huckabee nëse Izraeli ka të drejtë mbi atë territor.
“Do të ishte në rregull nëse do ta merrnin të gjithën”, deklaroi Huckabee. Ai shtoi se Izraeli nuk po kërkon zgjerim territorial, por ka të drejtë për siguri në tokat që mban ligjërisht.
Deklaratat u dënuan ashpër nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Kuvajti, Omani, si dhe nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe Liga e Shteteve Arabe.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite i cilësoi komentet si “retorikë ekstremiste” dhe “të papranueshme”, duke kërkuar sqarime zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ndërsa Ministria e Jashtme e Egjiptit i quajti deklaratat “shkelje flagrante” të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se “Izraeli nuk ka sovranitet mbi territorin e pushtuar palestinez apo mbi toka të tjera arabe”.
Liga e Shteteve Arabe deklaroi se “deklarata të tilla, ekstremiste dhe pa asnjë bazë të qëndrueshme, vetëm sa nxisin tensione dhe emocionet fetare e kombëtare”.
Që nga themelimi në vitin 1948, Izraeli nuk ka pasur kufij plotësisht të njohur ndërkombëtarisht. Kufijtë me fqinjët arabë kanë ndryshuar si rezultat i luftërave, aneksimeve, armëpushimeve dhe marrëveshjeve të paqes.
Gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967, Izraeli mori nën kontroll Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor nga Jordania, Gazën dhe Gadishullin e Sinait nga Egjipti, si dhe Lartësitë e Golanit nga Siria. Më pas, u tërhoq nga Sinait në kuadër të një marrëveshjeje paqeje me Egjiptin pas luftës së vitit 1973 dhe u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga Gaza në vitin 2005.
Në muajt e fundit, Izraeli ka thelluar kontrollin në Bregun Perëndimor, duke zgjeruar ndërtimet në vendbanimet hebraike dhe duke bërë ndryshime të rëndësishme administrative në territor.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk do të lejojë aneksimin e Bregut Perëndimor dhe ka premtuar se do të bllokojë çdo lëvizje në këtë drejtim.
Palestinezët prej dekadash kërkojnë krijimin e një shteti të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, një kërkesë që mbështetet nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Huckabee ka qenë prej kohësh kundërshtar i zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve. Në një intervistë vitin e kaluar, ai tha se nuk beson në përdorimin e termit “palestinezë” për pasardhësit arabë të banorëve të Palestinës nën administrimin britanik.
Në intervistën e fundit, Carlson e pyeti për interpretimin e vargjeve biblike nga libri i Zanafillës, ku thuhet se Zoti i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij tokë nga Nili deri te Eufrati, territor që sipas tij do të përfshinte Izraelin, Jordaninë, Sirinë, Libanin, si dhe pjesë të mëdha të Arabisë Saudite dhe Irakut.
Huckabee u përgjigj se nuk është i sigurt nëse do të shkonin aq larg, por se bëhet fjalë për një territor shumë të madh.