Kreu i SPAK Altin Dumani po raporton sot para Komisionit të Ligjeve, ku ka sjellë raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme.
Dumani theksoi se pronat dhe blerja e apartamenteve janë forma kryesore e pastrimit të parave në Shqipëri ndërsa shqiptarët janë në tregun ndërkombëtar të drogërave të forta. Lidhur me këtë, në total janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri tha ai, duke treguar se ka dyshime që bankat të jenë të përfshira në këto skema pastrimi parash.
Kreu I SPAK tha se institucioni i është drejtuar me disa kërkesa Kuvendit duke përfshirë edhe shtimin e prokurorëve.
“Gjithashtu dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare, ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane”, tha ndër të tjera ai.
Duke folur për besueshmërinë që ka krijuar SPAK, Dumani tha se ka patur një rritje të numrit të hetimeve krahasuar me një vit më parë, por theksoi se janë prokurorë dhe jo inkuizitorë.
“Janë sekuestruar pasuri me vlerë 41 milionë euro
Jemi prokurorë por në asnjë rrethane nuk jemi inkuizitorë.
Detyra jonë është të hetojmë, të mbledhim prova dhe të akuzojmë.
Duke pasur parasysh shumë mirë se shumë nga subjektet tona janë zyrtarë që përfaqësojnë shtetin shqiptar.
Shifrat janë kokëforte, paçka se e jetojmë krimin e organizuar, sot ndër më të fuqishmit në botë masa arrest me burg me kërkesat tona zë vetëm 49 % të totalit për të cilat është kërkuar ose jo një masë sigurimi.
Numri total i të paraburgosurve është 2817, dhe vetëm 237 të paraburgosur janë për llogari të SPAK. Pra zënë vetëm 8.5%. E përsëris që ky numër është më pak se 9% e totalit.Shpresojmë të gjejmë mbështetje nga Kuvendi për shtim të prokurorëve. Nuk dimë çfarë ndodh me ne, s’kemi status pas përfundimit të mandatit. Grupet kriminale janë përfshirë në trafikim të drogave të forta. Grupet kanë aktivitete poli-kriminal, duke përfshirë dhunën për shkak të kontrollit të territorit, komunikimi i koduar, konvertimi i parave në kriptovaluta. Ka shumë grupe kriminale që operojnë përmes call center. Dëmi ndaj viktimave është në mijëra euro. Qytetet më problematike janë Tirana, Elbasani, Durrës, Vlorë, Kurbin, Shkodër, Laç, Fushë Krujë. Në Fushë Krujë ka veprimtari kriminale si vrasja dhe shpërthimet. Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave”, deklaroi Dumani.