Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, paralajmëron se kryeministri Edi Rama ka kaluar në një fazë të re të sulmit ndaj drejtësisë, duke synuar ndryshime në Kodin Penal për t’i hequr SPAK-ut mundësinë të hetojë dhe ndëshkojë zyrtarët e lartë për korrupsion.
Kapri niset nga vizita e djeshme e Edi Ramës në Paris, ku Rama krah ministrit të Drejtësisë atje, tha se po konsultohet për ndryshimet në Kodin Penal.
Por deputeti i Mundësia e sheh këtë si alibi për t’i lidhur duart SPAK-ut. Ai sjell në vemendje komentin e Ramës në konferencën e fundvitit me gazetarët, ku kryeministri tha: “Shpërdorimi i detyrës është një vepër, një term, ku futen thes i madh, i thonë këta ktu. Futen njerëzit kollaj fare”.
Sipas Kaprit, këto lëvizje synojnë të shpëtojnë Ramën dhe ministrat e tij nga drejtësia, në një moment historik kur për herë të parë po goditet realisht korrupsioni i pushtetit. Deputeti i Mundësia i bën thirrje qytetarëve të firmosin deklaratën në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. “Nuk duhet të lejojmë që të preket drejtësia” – thekson Kapri.
Fjala e Erald Kaprit:
Lufta ndaj drejtësisë tani ka kaluar në një plan tjetër. Edi Rama sot synon të bëjë ndryshime ligjore në parlament në mënyrë që t’i presë krahët SPAK-ut, që ai dhe ministrat e tij të mos procedohen nesër.
Plani i Ramës është që të ndryshojë Kodin Penal. Nene si “Shpërdorimi i detyrës”, “Barazia në tendera” të “ndryshohen”. Por sipas variantit të propozuar nga Rama, zyrtarë si: Vangjush Dako, Lefter Koka, Ilir Beqaj, Erion Veliaj, Belinda Balluku nuk do të procedoheshin kurrë.
Për këtë ka përdorur madje dhe vizitën e fundit në Francë, për të “justifikuar” gjithë veprimin e tij në të ardhmen për të sulmuar drejtësinë. Ky është një moment i rëndësishëm, një moment historik sepse për herë të parë në 35 vite po ndëshkohen të korruptuarit. Ndaj, është e nevojshme të bëhemi bashkë, të firmosim deklaratën në mbrojtje të drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Ne nuk duhet të lejojmë që të preket drejtësia.