Humbja e vulës ka sjellë pasoja për grupin e deputetëve të drejtuar nga Lulzim Basha, që tashmë e gjejnë veten në mes të dy rrugëve, të bashkohen me PD-në zyrtare të Sali Berishës, apo të qëndrojnë me Bashën, në pritje të vendimit të tij për të ardhmen politike.
Sot, Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ashtu siç kishte paralajmëruar disa ditë më parë. Ai ka kërkuar që të cilësohet si deputet jashtë grupeve parlamentare.
“Unë jam demokrat sepse besoj te vlerat për të cilat dikur lindi si PD. Ama nëse për të qenë “demokrat” kushti është të jesh “berishist” dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u përpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin”, deklaroi Alibeaj pak ditë më parë.
Ndërkohë, Lulzim Basha ka sulmuar deputetët që e braktisën pas humbjes së vulës, Ai u shpreh në një intervistë në Top Channel se ata “kanë vendosur fatin personal mbi aspiratën e shqiptarëve. Vendimet secili merr në funksion se ku e sheh veten, të gjithë ata që tjetër gjë thonë e tjetër gjë bëjnë, bashkëpunojnë me Edi Ramën për arsye personale, janë kthyer në asetin personal të Ramës. Këta i thonë vetes opozitë por në agjendën personale dëmtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët”.