SPAK ka bërë një reagim zyrtar në lidhje me deklaratat e bëra më herët gjatë ditës nga Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, avokatët e kreut të PD, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, sa i takon masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre për dosjen “Partizani”.
Në një reagim në rrjete sociale, SPAK shkruan se vepron në mënyrë të pavarur dhe heton çështje bazuar në prova.
Gjatë një konferencë për mediat, Sokol Mëngjesi tha se masat e sigurimit personal ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij janë vendosur pa u marrë në pyetje ndërsa akuzoi Prokurorinë e Posaçme se ka tejkaluar kompetencat.
“Ky proces është politik për arsye se ky proces është depozituar kallëzimi që në 1.12.2020 dhe po në të njëjtën datë SPAK e ka regjistruar si procedim penal. Kallëzimi pavarësisht se është i rremë, ka pasur emra konkretë në kallëzim por SPAK nuk ka regjistruar asnjë emër personi për të shkelur të drejtat kushtetuese dhe marrjen në pyetje gjatë hetimeve paraprake. SPAK ka tejkaluar kompetencën e vet se neni 287, pastrimi i produkteve të veprës penale nuk është në kompetencë të SPAK se nuk kishte funksionar të lartë si të dyshuar. SPAK ka mbajtur mbi dy tre vjet në hetime pa emra personazh konkretë. Berishës dhe Maltezi i janë caktuar masat e sigurimit pa u pyetur asnjëherë nga SPAK. Një nga pikat më thelbësore në këtë çështje janë ndryshimi i destinacionit të klubit Partizani, i bërë nga kryeministri Edi Rama, atëherë kryetar bashkie, në vitet 2004, 2006 dhe 2008 me izolimin funksional të planit të përgjithshëm të Tiranës. E vetmja pikë ku SPAK akuzon Berishën është se ka qenë kryetar i KRRTRSH, por asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vendim pa i vajtur nga KKT i bashkive”, u shpreh Mëngjesi.
Edhe avokati tjetër, Genc Gjokutaj tha se çështja ndaj Jamarbër Malltezit është ndërtuar mbi një zinxhir falsifikimesh që nga kallëzimi fillestar e deri te procesi gjyqësor. Ai akuza të rënda për manipulim të fakteve dhe prapavijë tërësisht politike të dosjes.
“Kemi të bëjmë me një kallëzim të falsifikuar. Vetë kallëzimi i kësaj çështje i bërë nga Taulant Balla është i falsifikuar dhe përmban atribuime të cilat vetë këta prokurorë i kanë vërtetuar që nuk janë të vërteta. Që te pretendimi i shtetëzimit që nuk ka ekzistuar. Ne kemi provuar të gjitha me dokumenta këto. Vazhdon me një hetim të falsifikuar dhe që për çudi, të gjitha këto gjykohen nga një gjyqtare falsifikatore. E vërtetuar së fundmi, përgjegjëse për veprën e falsifikimit. Pra, shikoni se çfarë profili ka kjo çështje, duke ndjekur, për dijeninë tuaj, ne kemi paraqitur akte pafund gjatë hetimit paraprak dhe SPAK-u nuk ka dashur, nuk ka dashur t’i pranojë dhe na e ka kthyer mbrapsht“- u shpreh mes të tjerash Gjokutaj.