Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i ka dhënë sot përgjigje deklaratës së Edi Ramës se vizita e tij në Mar-a-Lago, vilën e Donald Trump, ishte një xhiro e thjeshtë.
Sipas Ramës, vizita e Shehajt në vilën e Trump në Miami ishte njësoj sikur kryeministri të shkonte përpara kullës Trump në Nju Jork dhe të shkrepte foto aty.
“Ej po ky, e patë atë që thoshte “po ju flas nga Mar-a-lago”. Si me shku unë në Trump Tower në Nju Jork dhe të them “po ju flas nga Trump Tower, mbështetje e plotë e reformës”.”
Në një reagim në rrjetet sociale, Shehaj e mori momentin kur Rama hedh akuzën për të dhe i bashkangjit një përgjigje.
Shehaj thotë se ka qenë në Mar-a-Lago me ftesë të një senatori amerikan, dhe ka marrë pjesë në një tryezë me senatorë, kongresmenë dhe biznesmenë të fuqishëm pranë administratës Trump.
Në video Shehaj zbulon edhe disa momente teksa takohet me personalitete në Mar-a-Lago.
Teksa bën thirrje që shqiptarët të votojnë për ndryshim në zgjedhjet e 11 majit, Shehaj i fut edhe një “kunjë” politikanëve të tjerë që shkojnë në SHBA me qëllimin e vetëm për të kapur foto me zyrtarë amerikanë të rëndësishëm, dhe për këto takime përdoren taksat e shqiptarëve. Për më tepër shihni video-reagimin e Agron Shehajt: