Akullnaja Vatnajokull e Islandës, kupa më e madhe e akullit në Evropë, është duke u pakësuar në nivel alarmant pasi temperaturat në rritje për shkak të ngrohjes globale vazhdojnë të përshpejtojnë shkrirjen, raporton Anadolu.
E vendosur 200 kilometra në jug të kryeqytetit islandez Reykjavik, akullnaja Vatnajokull është një pjesë jetike e ekosistemit të Islandës, duke ushqyer lumenjtë akullnajor dhe duke formësuar peizazhin.
Pamjet ajrore tregojnë akullnajat në këtë rajon që ndeshen me tokën duke u shkrirë në oqean ose duke formuar laguna për shkak të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike.
Islanda, e cila ndodhet midis Evropës dhe Grenlandës, ka masën më të madhe të akullnajave në Evropë, e cila mbulon rreth 10 për qind të tokë së saj.
Pas vitit 1890, shumica e akullnajave filluan të tërhiqen dhe nga viti 2000 ato filluan të tërhiqen jashtëzakonisht shpejt. Si pasojë e ndryshimeve klimatike, sipas studimeve, akullnajat mund të humbasin gjysmën e vëllimit të tyre deri në vitin 2100.
Shumë akullnaja të mëdha në botë, përfshirë ato në Islandë, po tërhiqen nga 100 deri në 200 metra në vit. Studimet theksojnë se për aq kohë sa grumbullimi i borës është i barabartë ose më i madh se shkrirja, një akullnajë mund të mbajë ekuilibrin e saj ose madje edhe të rritet.