Aksidenti tragjik që shenjoi jetën dhe karrierën e presidentit amerikan Xho Bajden

Për Xho Bajden ishte një dashuri me shikim të parë. Studenti i Universitetit të Delauerit, po kalonte pushimet verore në Bahamas. Ai hyri në një resort të famshëm, ku i ra menjëherë në sy studentja e Universitetit të Sirakuzës, Neilia Hunter, që po merrte rreze dielli pranë një pishine.

“Kur u kthye nga unë, pashë se ajo kishte një buzëqeshje të bukur dhe sy të gjelbër të mrekullueshëm”- shkroi ai në librin e tij me kujtime “Premtimet që duhen mbajtur”. Xho zbuloi se Neilia ishte grua shumë e sjelljshme, dhe nuk u ndikua nga arsimimi i tij modest i marrë në Skrenton të Pensilvanisë.

Ndërsa marrëdhënia e tyre po bëhej me e ngushtë, prindërit e saj kapërcyen çdo dyshim në lidhje me politikën e tij (ai është demokrat, ata ishin republikanë) dhe besimin fetar (ai është katolik, ata ishin presbiterianë).

Për këtë arsye, dasma e zhvilluar në gushtin e vitit 1966 midis Xho dhe Neilias, u duk se ishte vetëm një moment historik i hershëm në romancën e tyre. Askush nuk e dinte se bashkimi i tyre do të përfundonte në tragjedi më pak se 6 vite e gjysmë më vonë.

Neilia pati një rol vendimtar në fushatën e Bajden për në Senat në vitin 1972.

Ndërsa udhëtimi i tyre i përbashkët i çoi në Sirakuza dhe më pas në Uillmington, çifti bëri plane që Xho të bëhej avokat, dhe më pas të garonte për poste publike. “Ne ramë dakord mbi pothuajse gjithçka”, shkroi ai, përveç shpresës së Neilias që burri i saj të zgjidhej anëtar I Gjykatës së Lartë të SHBA-së.

Neilia lindi Xhozef “Bio” Bajden III në shkurtin e vitit 1969, Robert “Hanter” Bajden në shkurtin e vitit 1970, dhe Naomi “Emi” Bajden në nëntorin e vitit 1971. Ndërkohë, përpjekja e parë e Xho për t’u futur në politikë ishte e suksesshme me zgjedhjen e tij në Këshillin e Qarkut të Njukasëllit në vitin 1970.

Dy vjet më vonë, Neilia mori një rol kryesor në fushatën e Xho Bajden kundër republikanit Xh.Bogs për në Senatin e SHBA-së, duke shërbyer siç do ta quante bashkëshorti i saj si “truri i operacionit”. Pas Ditës së Zgjedhjeve, sfidanti që ende nuk i kishte mbushur të 30-at ishte bërë personi i dytë më i ri i zgjedhur ndonjëherë në Senat, duke e detyruan çiftin Bajden të pyeste se çfarë mund të vinte më tej pas ngritjes së tyre kaq të shpejtë në politikë.

Makina e Bajden u godit nga një kamion një javë para Krishtlindjes

Përgjigjja erdhi më 18 dhjetor, një të hënë kur Xho po shkonte në zyrën e tij të përkohshme në Uashington, ndërsa Neilia qëndroi në shtëpinë e tyre të re në verilindje të Delauer, për të bërë disa pazare për festën e Krishtlindjes.

Rreth orës 14:30 të pasdites, ajo po udhëtonte me makinë drejt perëndimit në një rrugë rurale në Luginën Hokesin, me tre fëmijët që ishin në sedijen e pasme. Makina u godit befas nga një kamion që po ecte me shpejtësi në një kryqëzim. Sipas raportit të policisë, përplasja e hodhi makinën 50 metra poshtë një monopati.

Gruaja me 3 fëmijët u nxorën me shpejtësi nga makina e shkatërruar, dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Uillmingtonit. Por ishte tepër vonë për Neilian dhe Emin 13-muajshe, të cilat u shpallën të vdekura sapo mbërritën në spital. Të dy djemtë ishin më me fat, megjithëse Bio theu njërën këmbë, ndërsa Hanter pati një të çarë në kokë. Xho e kuptoi menjëherë se kishte ndodhur diçka e tmerrshme

Sikurse kujton vetë Xho Bajden në librin e tij autobiografik, e kuptoi se diçka e tmerrshme kishte ndodhur kur pa fytyrën e zbehtë të motrës së tij pasi iu përgjigj telefonit që ra në zyrën e tij atë pasdite. Një ndjenjë e tmerrshme e humbjes së Neilias lindi menjëherë kur Valeri I sugjeroi të ktheheshin në shtëpi për shkak të një “aksidenti të lehtë”.

“Ajo ka vdekur, apo jo?”- e pyeti ai. Udhëtimi i shpejtë për në Uillmington konfirmoi frikën e tij më të madhe. Por Xho nuk pati mundësi të qante humbjen e bashkëshortes dhe të vajzës, për shkak se 2 djemtë e tij të vegjël ishin ende në rrezik për jetën.

Në atë moment, kujton ai, vetëvrasja iu duk si një mundësi joshëse, edhe pse e dinte se nuk mund të braktiste kurrë Bion dhe Hanterin, në kushtet kur nëna dhe motra e tyre kishin ndërruar jetë. Xho u tërbua nga zemërimi, kur policia e përjashtoi shoferin e kamionit nga çdo lloj përgjegjësie për aksidentin e ndodhur.

Më vonë u zbulua se Neilia po udhëtonte ose me një shpejtësi mbi normat e lejuara ose ishte e shpërqendruar për një moment nga fëmijët në sediljen e pasme. Dhe ndërsa po merrte zemër nga përmirësimi gradual i gjendjes shëndetësore të 2 djemve, Bajden e pa veten të dërrmohej shpirtërisht nga zemërimi që i vlonte përbrenda.

Disa herë dilte bridhte natën rrugëve të qytetit, me shpresën se dikush do të përleshej fizikisht me të. Ai e mori veten nga ajo humbje e tmerrshme, duke u fokusuar tek mirëqenia e djemve të tij të mbijetuar nga aksidentit. Me ndihmën e kolegëve të tij në Senat dhe me mbështetjen e motrës, Xho u rikthye në detyrë.

Edhe pse fokusi i tij kryesor ishte mirëqenia e Bio dhe Hanter, kjo i dha mundësi të treve që të vazhdonin jetën e tyre. Një grua tjetër hyri në jetën e tij, kur i vëllai e njohu me studenten e Universitetit të Delauerit Xhill Xhejkëbs në vitin 1975.

Dhe kur u bë e qartë se Xhill ishte një pjesë e domosdoshme e familjes së tyre, ishin të 2 djemtë ata që e shtynë të atin të martohej me të. Pak para dasmës së tyre në vitin 1977, Xho e pyeti të fejuarën e tij se si mund të pranonte ajo të martohej më të, duke ditur ndjenjat e tij për gruan e tij të parë.

“Kushdo që mund të dashurojë aq fort një herë, mund ta bëjë sërish atë!”- iu përgjigj ajo. “Ai ishte momenti kur unë e kuptova saktësisht se çfarë kishte bërë dashuria e Xhill për mua. Ajo më dha sërish mundësinë që të isha vetvetja”- shkruan Xho Bajden në librin e tij autobiografik.