Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 24 vjeçarin Aleksandër Krrashin, shoferin e betonieres me të cilën u përplas mjeti ku udhëtonin katër të rinjtë që tragjikisht ndërruan jetë, dy ditë më parë në Fushë Prezë.
Në burg mbeti edhe kushëriri i tij, Valentin Krrashi pasi ndihmoi të riun të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë u dha masa “detyrim paraqitje” për Danjel Koxha, menaxherin e firmës ku punonte Krrashi, i cili nuk kishte patentë për drejtimin e betonieres. Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia që 24 vjeçari dha në sallën e gjyqit.
“Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave. Kur makina më goditi nga pas, dola menjëherë dhe tentova të hap dyert. Makina shpërtheu në flakë dhe ishte e pamundur ta ndihmoja më tej. Mora kontakt me kompaninë dhe kërkova që të sillnin një betoniere me ujë për të shuar flakët. E njoftova dhe familjen time dhe më pas shkova në shtëpi. Pas ndërrimit të rrobave, bashkë me katër familjarë të mi, shkova në Komisariatin e Kamzës ku dhe o dorëzova”, u shpreh Aleksandër Krrashi.
Aksidenti tragjik ndodhi më 19 Mars ku humbën jetën Enejdi Laçi, vëllai i tij Erildi Laçi, kushëriri Andi Laçi dhe shoku Enrikejd Kurti.
Ata udhëtonin me një automjet tip Benz që u përplas me betonieren që drejtohej nga 24 vjeçari Aleksandër Krrashi. Ky i fundit menjëherë pas aksidentit u largua nga vendngjarja, për t’u ndaluar pak minuta më vonë.