Akademiku Rexhep Qosja shpallet fituesi i çmimit “Lumo Skëndo”, libri “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” vlerësohet vepra më e mirë në 2024

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximi ka ndarë çmimin “Lumo Skëndo” për vitin 2024. Akademiku Rexhep Qosja është shpallur fitues i këtij çmimi ku libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës.

Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Çmimi “Lumo Skëndo” shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. 

Akademiku Rexhep Qosja nuk ishte i pranishëm në ceremoni, por nëpërmjet një videomesazhi ai falenderoi jurinë dhe se është i nderuar për këtë vlerësim duke e vënë theksin në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare.

Çmimi “Lumo Skëndo” i jepet veprës më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Në këtë përzgjedhje vlerësohen autorët më të mirë në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore, duke sjellë në vëmendjen e publikut emrin e një figure të shumanshme, siç është bibliofili Mit’hat Frashëri.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006.