Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj foli dje në një intervistë në Syrti Tv, ku hodhi akuza të forta për kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun. Ai denoncoi një listë të gjatë aferash konkrete, duke përmendur projekte madhore, kontrata, dosje specifike dhe emra që, sipas tij, përbëjnë bërthamën e korrupsionit shtetëror në Shqipëri.
Ahmetaj akuzoi Ramën dhe ministrat e tij se kanë vjedhur 14 miliardë euro nga buxheti i shtetit, por sipas tij, SPAK nuk ka bërë asgjë për të hetuar në lidhje me këto vjedhje.
Sipas tij, Rama ka 4 persona që i përdor si depozita parash, dhe ata janë: Belinda Balluku, Erion Veliaj, Ogerta Manastirliu dhe Mirlinda Karçanaj e AKSHI-t.
“Edi Rama, kreu i organizatës, ka katër depozita, të interesave të veta kriminalo-financiare. Bashkia e Tiranës, Ministria e Infrastrukturës me plaçkitësen, AKSH-i, kopshti privat i tij, dhe 7-8 vitet e fundit, shëndetësia. Për shëndetësinë do flasim herës tjetër, siç e diskutuam. Edhe për thagmën e tokave. Ju e dini, unë jua tregova, sot në emailin tim 1000 Nest Angoni dërgojnë denoncime”, u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë, Engjëll Agaçi është koordinatori i korrupsionit në qeverinë Rama.
Më poshtë keni disa nga aferat për të cilat foli Arben Ahmetaj:
Porti i Durrësit
Ahmetaj e cilësoi projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të rënda ekonomike të viteve të fundit. Sipas tij, shteti shqiptar ka hequr dorë nga një aset strategjik kombëtar. Ai theksoi se territori i portit ka një vlerë shumë herë më të madhe se ajo e reflektuar në dokumentet zyrtare dhe se vendimmarrja është marrë në rreth të mbyllur politik.
Ahmetaj hodhi akuzën e fortë se Shqipëria rrezikon të mbetet pa kontroll mbi portin e Durrësit dhe të përballet me një rrezik real arbitrazhi. Kompania e Alabarit që po zhvillon projektin, ka kërkuar lirimin e “Portës 4”, një lëvizje që do të paralizonte funksionimin e portit ekzistues. Refuzimi i qeverisë mund ta çojë vendin në një gjyq ndërkombëtar me pasoja të rënda financiare dhe me mundësinë që Shqipëria të mbetet pa një port funksional.
““Dosja e Portit të Durrësit, konkretisht Porto Romano, është jashtëzakonisht problematike në aspektin procedural, financiar dhe juridik. Projekti po zbatohet me kontratë FIDIC, e cila nuk ka tavan real kostosh dhe rrit rrezikun financiar për shkak të mangësive serioze në projekt, të dokumentuara zyrtarisht nga drejtori i Portit dhe specialistët. Projektuesi i huaj është njëkohësisht edhe menaxhues i projektit, duke krijuar konflikt interesi dhe duke marrë kompetenca që i takojnë shtetit, në shkelje të ligjit të prokurimeve. Porti është planifikuar në dy faza, ku funksionaliteti i plotë shtyhet deri në vitin 2060, ndërkohë që kapaciteti i ri do të jetë më i ulët se ai aktual. Rreziku nuk është vetëm financiar, por strategjik: Shqipëria mund të mbetet pa port funksional dhe të përballet me arbitrazh ndërkombëtar nëse lirohen hapësirat aktuale sipas kontratave ekzistuese”, tha Ahmetaj ndër të tjera.
Projekti “Smart City”
Një tjetër akuzë e rëndë lidhej me projektin “Smart City”, i cili, sipas Ahmetajt, ka pësuar rritje të pajustifikuar të kostos dhe është realizuar pa procedura të hapura konkurruese. Ai përmendi çmime shumë më të larta se tregu për pajisje teknologjike, duke ngritur dyshime serioze për fryrje artificiale të vlerave.
Sipas të dhënave që zbuloi Ahmetaj, shifrat që do të paguhen hanë shumë të larta: një kamerë trupi për efektivët e policisë, e lidhur me sistemin qendror, kushton 15,723 dollarë, ndërsa një kamerë për monitorimin e trafikut arrin vlerën 52,000 dollarë. Këto kosto konsiderohen gjashtë deri në shtatë herë më të larta se vlera reale e tregut.
Ahmetaj ngre shqetësime të thella për sigurinë kombëtare. Kontrata i jepet një kompanie nga një vend jashtë NATO-s akses në infrastrukturën kritike dhe në të dhëna sensitive të qytetarëve.
“Rasti i ‘Smart City’, që në fakt është ‘Safe City’, është një aferë me rrezik të lartë financiar dhe të sigurisë kombëtare. Projekti është dhënë pa tender, me kredi nga Abu Dhabi që nga 60 milionë është rritur në 140 milionë dollarë, për t’iu dhënë një kompanie të huaj. Bëhet fjalë për infrastrukturë kritike, të dhëna biometrike, targa, lëvizje qytetarësh që po i kalohen një kompanie jashtë NATO-s, gjë e papranueshme. Kostot janë të fryra në mënyrë ekstreme, 6–7 herë mbi çmimet reale: kamera trupi që paguhen mbi 15 mijë dollarë secila dhe kamera rrugësh deri në 52 mijë euro. Ndërkohë, në 10 vite Shqipëria ka importuar sisteme sigurie me vlerë 50 milionë euro, ndërsa tani po paguan 140 milionë dollarë për rreth 800 pajisje. Ka indicie për përzgjedhje kompanish përmes marrëveshjesh politike dhe për mosveprim të SPAK-ut, pavarësisht fakteve dhe të dhënave zyrtare”, tha Ahmetaj.
Tuneli i Llogarasë
Ahmetaj ndaloi gjatë te Tuneli i Llogarasë, duke përmendur kompaninë supervizore “Hill International”. Sipas tij, kjo kompani ka kryer pagesa për akomodime dhe shpenzime që lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë, çka përbën konflikt të pastër interesi.
Arben Ahmetaj tha se Hill International’ e cila ka marrë supervizimin e tunelit të Llogarasë ka paguar hotelet e kryeministrit Edi Rama, zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Dosja KAYO dhe Ron Yefet
Në intervistë u përmend edhe dosja KAYO, ku Ahmetaj ngriti alarmin për mënyrën se si është ndërtuar një strukturë shtetërore që, sipas tij, shërben për transferim të pasurisë publike drejt interesave private pa procedura të qarta privatizimi.
Sipas Ahmetajt, përmendja e emrit Ron Yefet lidhet me përfshirjen e interesave të huaja në një sektor strategjik si industria e mbrojtjes. Ish-ministri tha se kompania shtetërore KAYO e krijuar si projekt për modernizimin e industrisë së mbrojtjes në fakt nuk është asgjë tjetër por një mjet për të devijuar pasuritë kombëtare.
“Kjo është gallata tjetër, kjo është, kjo është shpikje, kjo është, ky është projekti Kayo. E dini besoj që ë, Kayo është kjo kompania e industrisë së mbrojtjes. Ky nuk është projekt industrial, të dashur qytetarë. Është Roni Yeffet? Do vijmë te Roni Yeffet. Ky është projekt financiar. Se Kayo s’do prodhojë ndonjë gjë”, tha Ahmetaj.
“Durana”
Ai përmendi skemën e ashtuquajtur “Durana”, ku kompani të mëdha, sipas tij, përfitojnë lehtësira fiskale artificiale, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe duke krijuar pabarazi të thellë në treg. Ky projekt përshkruhet si një “park virtual”, një mekanizëm mashtrimi për të lejuar rreth 46 kompani, të cilat pretendohet se janë të lidhura me pushtetin dhe grupe kriminale, të shmangin taksat.
“Durana paraqitet si park teknologjik, por në realitet është një park virtual, pa kufij gjeografikë, pa porta dhe pa funksionim doganor, në kundërshtim me ligjin. Ajo është përdorur për të mashtruar shqiptarët, që disa kompani të lidhura me pushtetin të mos paguajnë taksa, ndërkohë që nuk ka para për shëndetësinë dhe pensionet. Përfituesit janë kompani të afërta me qeverinë dhe AKSHI-n, me taksa zero dhe tendera të dyshimtë. Kjo është një skemë privilegjesh, jo zhvillim ekonomik real, dhe duhet të hetohet”, tha Ahmetaj.
Thumanë–Kashar
Për rrugën Thumanë–Kashar, Ahmetaj deklaroi se kontrata është ndryshuar në mënyrë të njëanshme, duke devijuar nga projekti fillestar dhe duke ulur cilësinë e punimeve, ndërsa përfitimi financiar i koncesionarit është rritur.
Sipas tij, këto ndryshime janë bërë pa transparencë dhe pa kontroll institucional, duke e kthyer një investim publik në barrë afatgjatë për qytetarët.
“Kemi Thumanë-Kasharin, ka probleme serioze. Unë nuk do t’i lodh qytetarët me detajet e Thumanë-Kasharit. E para njëherë që Thumanë-Kashari është dhënë me vullnet, është ndryshuar çdo gjë nga kontrata e parë në kundërshtim me vendimin e gjykatës që unë e kam lejuar. Janë rritur kostot, është rritur ngarkesa në kurriz të qytetarëve, është një koncesion i dhënë kujt i do qejfi me mënyrën se si i do qejfi, nga kryeministri dhe Laç Kici”, tha Ahmetaj.