Ahmetaj e cilësoi ‘ndërmjetësin e mafias me Ramën’, Ergys Agasi paraqitet në SPAK

Biznesmeni Ergys Agasi është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Paraqitja e tij në SPAK vjen pas kontrolleve që agjentët e BKH-së dhe Policia e Shtetit bënë në  banesat dhe zyrat e biznesit të tij.

Atij iu sekuestrua telefoni për llogari të disa hetimeve, teksa çështja po ndiqet nga prokurori Bledar Maksuti.

Emri i tij u bë i njohur 1 vit më parë, pasi ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, e cilësonte Ergys Agasin si një nga ndërmjetësit e kryeministrit Rama me mafian dhe trafikantët e drogës. 

Por kush është Ergys Agasi?

Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ky i fundit ish-Sekretari i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht se i ati ishte socialist, në skenën politike Ergys Agasi u fut nga LSI e drejtuar nga Ilir Meta.

Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëherë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, ndërsa sot në burg me dy dënime nga GJKKO për aferën e inceneratorëve.

Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave mallrave.

Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Por, e ardhmja e tij nuk do të ishte më pranë Ilir Metës, pasi ai do të rikthehej sërish në Partinë Socialiste.

Emri i Ergys Agasit u bë i njohur në media pas intervistës së Arben Ahmetajt për televizionin italian, Rai3 ku hodhi akuza të forta për kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet që ai pretendon se kreu i qeverisë ka me krimin e organizuar. Sipas tij këto lidhje koordinohen nga Ergys Agasi.

“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, shprehej Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.