Deputeti Agron Shehaj deklaroi ne një intervistë për “Zërin e Amerikës” se shqiptarët ëndërrojnë për një qeveri të pakorruptuar dhe se ai po punon për krijimin e një partie të re politike. Shehaj tha se PD nuk u kthye dot në një alternativë të besueshme ndaj beson se në bashkëpunim me profesionistë të ndryshëm mund të krijojë një projekt të ri politik, për t’ju ofruar shqiptarëve mundësinë për një qeverisje të pakorruptuar.
“Unë jam shkëputur me Partinë Demokratike, ia kam komunikuar kryetarit të PD zotit Berisha, në qershor menjëherë pas zgjedhjeve vendore, largimin tim nga Partia Demokratike. Arsyeja është fakti që nuk mund të vazhdohej në atë mënyrë, shikoja mungesën e një drejtimi, mungesën e vullnetit dhe planit për të rinovuar PD, për të hapur Partinë Demokratike, që është e vetmja mënyrë që ne kemi, nëse duam të bëhemi të besueshëm me elektoratin dhe t’u japim një alternativë të vërtetë shqiptarëve.
Ajo që nuk pata mundësi të bëja apo të jepja kontributin tim brenda PD, është ajo për të cilën unë po punoj për ta bërë jashtë PD dhe jam duke punuar në një projekt politik. Jam duke folur me njerëz, sigurisht nuk është një gjë e lehtë, politika kërkon këmbëngulje, sakrfica, sidomos kur nuk je i gatshëm të bësh kompromise, edhe sidomos kur vjen nga një fushë ku profesionistë kanë arritur të jenë të suksesshëm dhe bashkë me ta të ndërtohet një alternativë e vërtetë, dhe pse jo e ndershme dhe e pakorruptuar për Shqipërinë. Mendoj se ëndrra e çdo shqiptari është që një ditë të qeveriset nga një qeveri e pakorruptuar”, tha Shehaj për “Zërin e Amerikës”.