Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi se partia e tij do të hyjë e vetme në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
I pyetur nëse mund të ketë ndonjë mundësi bashkimi me PD-në pas lirimit të Sali Berishës, Shehaj tha se largimi i tij nga PD nuk ishte për shkak të asaj që i ndodhën kreut të demokratëve, ndaj edhe lirimi i tij nuk ndryshon asgjë.
Sipas Shehajt, Partia Mundësia, ndonëse një parti e re, synon që të mund të krijojë një Grup Parlamentar, teksa ky besim është shtuar edhe pas sondazheve të fundit dhe rritjes së besimit të qytetarëve te kjo forcë politike.
Biseda në studion e News 24:
Do të hyni i vetëm në zgjedhje?
Absolutisht po!
Nuk ka asnjë shans të krijoni ndonjë negociatë në varësi si ndryshojnë gjërat?
Asnjë!
Tani kemi edhe zotin Berisha të lirë dhe perceptimi është se…
Vendimi im për t’u larguar nga PD nuk është ndikuar nga çfarë i ka ndodhur zotit Berisha.
Tani supozohet se do të ketë një bashkim dhe ata supozohet se do të jenë më të fortë.
Unë nuk e kam marrë vendimin në funksion sa të fortë apo të dobët ishin. Edhe tani që duket sikur janë në gjendje më të mirë, sërish nuk ndikohem se si gjërat po shkojnë në Partinë Demokratike.
Do të keni një slogan?
Sigurisht që do të kemi. Sot jemi të bindur se vetëm një qeveri e pakorruptuar mund të krijojë mundësi për të gjithë dhe ky është problemi më i madh që kanë shqiptarët dhe arsyeja pse ikin. Ikin sepse në Shqipëri nuk shohin mundësi sepse gjërat janë të kapura.
Çfarë rezultati prisni?
Të paktën një grup parlamentar. Nëse nuk krijohet një Grup Parlamentar, atëherë do ishte dështim.