Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj bëri disa denoncime të forta pak ditë më parë gjatë emisionit “Çim Peka Live”.
Nga arratia, Ahmetaj, i cili është shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve u ndal te disa dosje, mes tyre edhe ajo e tunelit të Llogarësë, ku e pandehur është marrë zv.kryeministrja, Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit.
Ahmetaj deklaroi se kompania “Hill International” që fitoi tenderin e supervizimit të tunelit të Llogarasë ka paguar hotelet e Ramës, Ballukut e Ibrahimajt, e cila mbante asokohe postin e Ministres së Ekonomisë.
Sipas tij, kjo kompani ka kryer pagesa për akomodime dhe shpenzime që lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë.
Por si e paracaktoi Balluku fituesin e tunelit të Llogarasë?
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se qoftë tenderi për ndërtimin e tunelit, qoftë ai për mbikëqyrjen e punimeve u paracaktuan, teksa Balluku kontrolloi në çdo hap procedurën e prokurimit me vlerë 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë.
Gara për hapjen e tunelit u bë pikërisht pasi drejtuesit më të lartë të qeverisë zhvilluan një takim me drejtues të kompanive turke, që më pas u shpallën fituese në tenderin e tunelit të LLogarasë.
Në takimin e zhvilluar në kryeqytetin turk me përfaqësuesit e kompanisë merrnin pjesë Kryeministri Rama, Ministrja alluku dhe vetë ish-zv/kryeministri Ahmetaj.
Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit. Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta, ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.
E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi I dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.
SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
Për prokurorinë e Posaçme, Belinda Balluku e kishte të përcaktuar fituesin e tenderit për tunelin e llogarasë, bashkimin e kompanive turke, Intecar dhe Asl.
Numri dy i qeverisë akuzohet se kontrolloi hap pas hapi procedurën e prokurimit për tunelin e Llogarasë dhe paracaktoi fituesin, në shkelje të kritereve standarde të tenderit pasi konsorciumi turk “Intecar–Asl” nuk kishte dorëzuar dokumente që provonte se kapitalet nuk ishin nën përmbarim, nuk kishte përkthime të certifikuara në shqip, nuk kishte dëshmi për ndërtim ure mbi 120 metra, kishte paraqitur certifikata ISO të pavlefshme dhe nuk kishte dokumentuar kontratat e punës për 250 punonjës aktivë, duke e bërë kështu shpalljen e tij fitues një shkelje të hapur të ligjit të prokurimeve publike.
Por nuk mbaron ketu.
Të dhënat e siguruara nga hetimi i SPAK ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi tregojnë se jo vetëm tenderi i madh i ndërtimit, por edhe ai i mbikëqyrjes së punimeve u trukua, ndërkohë që inspektimet e kryera në terren ngrenë hije dyshimi mbi cilësinë e punimeve në tunel dhe sigurinë e tij.
Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë do të vinte në pah, cilësinë e këtyre punimeve duke ia bërë të ditur kreut te ARRSH, Evis Berberi.
“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” i shkroi Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, Berberit.
Shirat e ditëve të fundit nxorrën zbuluar edhe cilësinë e punimeve të tunelit të Llogarasë, ku uji hynte nga të gjitha anët, në projektin që u kushtoi 190 milionë euro taksapaguesve shqiptarë.
Kujtojme se përveç zv.kryeministres Belinda Balluku, SPAK ka marrë të pandehur edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të saj, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi si dhe dy anëtare të KVO-së Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica për shkeljen e barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.