Të pandehurit e SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës janë njohur paraditen e sotme me masat e sigurisë të vendosura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e vendoura nga SPAK, ku 6 prej të pandehurve janë në arrest me burg, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa 6 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Ndërkohë, Taluant Tusha, drejtor i infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, është vetëdorëzuar pasi u shpall në kërkim 2 ditë më parë nga SPAK, për shkak se nuk u gjet në banesën e tij.
ARREST NË SHTËPI:
-Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit
-Valbona Ballgjini, anëtare e Komisionit të dhënies së koncesioni
-Sidita Temali, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit
-Silena Tola- punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit
-Etleva Kondi- anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit
-Pellumb Abeshi, ish zyrtar i ministrise se mjedisit.
ARREST NË BURG
1-Lefter Koka, ish ministër i Mjedisit
2-Alqi Bllako, ish sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit
3-Taluant Tusha, drejtor i infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, i vetëdorëzuar
4-Bledar Karoli, ish zyrtar i Ministrisë së Energjisë
5-Jetmir Llapaj, punonjës në Qendrën Kombetare të Biznesit
6-Namik Simixhiu, ish anëtar i Komisionit të Prokurimit të inceneratorit të Tiranës
Kujtojmë se në 1 gusht të këtij viti, SPAK vendosi sekuestron mbi inceneratorin e Tiranës. Përmes njoftimit zyrtar, SPAK bën me dije se është zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiti janë pronarët e vërtetë të inceneratorit që fshihej përmes kompanisë guackë në Holandë.
Sipas SPAK, “është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi”.
Më tej, “nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit”.
SPAK po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 143/3 dhe 25, 248, 260 të Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 287/ gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragari 2 i Kodit Penal.