Afera CEZ-DIA i shkaktoi shtetit 414 milionë euro dëm, u dënua vetëm biznesmeni Kastriot Ismailaj

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u paraqit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku do të pyetet nga prokurorët në lidhje me çështjen CEZ-DIA.

Ai tha përpara futjes në SPAK se kjo ishte një telenovelë e gjykuar dy herë, e bërë sipas tij nga një kallëzues i rreme që është dënuar dy herë nga gjykatat për shpifje dhe është dënuar një herë për dhunë në familje.

Por çfarë është afera CEZ-DIA?

Kjo aferë fillon në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve te CEZ-DIA, marrëveshje që do t’i kushtonte buxhetit të shtetit shqiptar 414 milionë euro dëm pas prishjes së njëanshme kur Partia Socialiste mori pushtetin.

Kompania DIA e themeluar nga biznesmeni Kastriot Ismailaj do të bënte mbledhjen e borxheve për faturat e papaguara nga abonentët, por mbledhja e këtyre borxheve nuk ndodhi asnjëherë. Padia u bë para 6 vitesh nga juristi Romeo Kara.

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se ka qenë Ilir Meta ai që ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Ndërkohë, Dritan Prifti ka rrëfyer se Meta kishte udhëtuar edhe në Çeki për të negociuar kontratën e Ismailajt.

Për këtë aferë u dënua me 11 vite burg biznesmeni Kastriot Ismailaj, për akuzën  “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe mashtrim me pasoja të rënda”. Gjatë kohës kur ishte nën hetim nga prokuroria, biznesmeni u akuzua së në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, gati 6.5 milionë dollarë.

Kastrioit Ismailaj u lirua nga burgu në 7 Shtator të këtij viti, pasi kishte kryer dënimin e dhënë nga Gjykata.