Abuzimi me fondet e IPARD, Nisma Thurje denoncon në SPAK ish-ministren Frida Krifca

Nisma Thurje ka denoncuar sot në SPAK ish-ministren e Bujqësisë Frida Krifca dhe drejtuesit e AZHBR-së, pas skandalit të abuzimeve me fondet e IPARD.

Drejtuesi i kësaj partie, Endri Shabani, deklaroi se ka kërkuar që të hetohet i gjithë zinxhiri vendimmarrës i fondeve.

Komisioni Europian mori vendim në Korrik të këtij viti për të pezulluar të gjitha fondet për zhvillimin e bujqësisë në Shqiëpri, pasi ishin konstatuar raste të shumta korrupsionbi. Këto fonde që duhej të shpërndaheshin te fermerët, u shpërndanë për pushtetarë apo ish-pushtetarë, të cilët përfituan qindar mijëra euro.

“Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara,” thuhej në njoftimin e drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.

Pak ditë më parë kryeministri Rama vendosi të shkarkojë ministren Frida Krifca, teksa mendohet se ky skandal solli edhe largimin e saj nga kabineti qeveritar. Tani çështja do t’i kalojë SPAK, ndërkohë që po vijojnë hetimet edhe nga institucionet e Bashkimit Europian.