Abuzimi me fondet e BE/ Ish-ministrit Ilir Beqaj i refuzohet kërkesa për ndryshim mase, mbetet në burg

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Mbrojtja e Beqajt kërkoi ndryshimin e masës me argumentin se klienti i tij nuk ka asnjë rrezik për t’u larguar nga vendi.

Kjo kërkesë e Beqajt lidhet me dosjen hetimore të abuzimeve me fondet e BE, në kohën kur drejtonte Agjencinë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur ndryshe si SASPAC.

Ish-ministri i Shëndetësisë u arrestua me urdhër të SPAK më 4 korrik 2024.

SPAK dyshon se Beqaj ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera me përfitues vetë ish-ministrin.